Rama për Alvinin: U angazhua një skuadër e policisë sonë, nuk do ndalemi

Kryeministri Edi Rama reagoi pas lirimit të vogëlushit Alvin Berisha. Rama thotë se në këtë operacion u përfshi edhe një skuadër speciale e policisë shqiptare. Sipas tij, përpjekjet nuk do ndalen pasi janë të tjerë fëmijë shqiptarë në kampet siriane.

POSTIMI I RAMES

Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të  policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentat e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë.

Një falenderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane.

Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm.

Por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin.