Basha: 1200 euro rroga për mjekët, 700 për infermierët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se kur forca politike që ai drejton të vijë në pushtet, rroga bazë e mjekëve dhe infermierëve do të jetë në shifrat 1200 dhe 700 euro.

Në takimin me të rinjtë e Shkodrës, lideri i opozitës shtoi se Shqipëria do të ndjekë standardin e Kosovës.

“Jemi në emergjencë sa i përket shëndetësisë. Kurrë nuk ka patur kaq pak mjekë dhe infermierë për frymë Shqipëria, të paktën këto 40-50 vite. Pra dhe në kohën e diktaturës ka patur më shumë mjekë për frymë se sa sot. Sot jemi në nivele afrikane sepse mjekët dhe infermierët po emigrojnë drejt Gjermanisë. Ka vetëm një zgjidhje, rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve.

Standardi i parë që do aplikojmë si qeveri do të jetë standardi i Kosovës. Rritja e parë e pagave do jetë 1200 euro për mjekët dhe 700 euro në muaj për infermierët. Kjo do ndalë hemorragjinë, por nuk është zgjidhje sepse sistemi shëndetësor ka nevojë për një reformë totale”, premtoi Basha para të rinjve shkodranë.