Dorëhiqet shefi i inteligjencës kosovare, Haradinaj e dekoron me Medaljen e Skënderbeut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar pranimin e dorëheqjes së Shpend Maxhunit nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ka falënderuar Maxhunin për bashkëpunimin dhe kontributin në obligimet shtetërore, duke e dekoruar me Medaljen e Skënderbeut, me motivacionin për profesionalizëm dhe besnikëri në shërbim ndaj atdheut. 

Postimi i plotë:

“Gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës është angazhuar pandalë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe institucionet e sigurisë. Në këtë angazhim, roli i z. Maxhunit ka qenë i rëndësisë së veçantë dhe sot, AKI është një ndër institucionet më profesionale dhe më kredibile në vend dhe më gjërë”.

Shpend Maxhuni ishte emëruar në krye të inteligjencës kosovare, në prill të vitit të kaluar. Para kësaj pozite ai ka qenë Drejtor i Policisë së Kosovës.

Maxhuni ishte emëruar në këtë pozitë pasi Driton Gashi, drejtori i AKI-së atë kohë, kishte ofruar dorëheqjen e kërkuar nga kryeministri në largim Haradinaj, pas dëbimit të 6 shtetasve turq nga Kosova në Turqi.