Kosovë ngre akuzë kundër një prokurori

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën një akuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale: Keqpërdorim i detyrës zyrtare. Në komunikatën e Prokurorisë bëhet e ditur se i pandehuri është prokuror dhe se ai tashmë është pezulluar nga puna, njofton REL.

Sipas njoftimit, A.M. "me dashje ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit". "Në disa raste penale, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, ashtu që për kryesit e veprave ka siguruar dënime shumëfish më të lehta sesa e parasheh ligji për veprat penale, të cilat janë kryer", thuhet në komunikatë.