Qeveria pas çdo vrasjeje, frymë thellë: 'Sa silenciatorë, sa sopata u përdorën?'

Qeveria pas çdo vrasjeje, frymë thellë: 'Sa silenciatorë, sa sopata u përdorën?' 

Nga Ylli Manjani.

Nga lajmet e kronikës del se shumica e vrasjeve bëhen me silenciator dhe me sopatë. Trafikantët, larësit e hesapeve e parelinjtë vrasin me silenciator. Drejt e në objektiv, ftohtë e pa zhurmë. Në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë e Durrës ua fikin dritën kundërshtarëve me armë pa zhurmë.

Lajmet i transmetojnë "live", si spektakël urban.

Të varfrit nuk kanë para për armë. Thjesht marrin sopatën, mjetin e prerjes së druve, për të prerë jetën e dikujt tjetër jo për pasuri, por për varfëri! Gruaja, burri, fëmijët, babai e nëna, vëllai e motra, kushërinjtë, nipërit e mbesat janë armiqtë më të mëdhenj të njëri-tjetrit në varfri...

Vrasjet me sopatë, lajmet i japin si kronikë budallenjsh që rrinë para thertores së fshatit... Na ka mbetur të numërojmë, ndërkohë që qeveria pas çdo vrasje "merr frymë thellë", sa silenciatore e sa sopata janë përdorur për të vrarë shqiptarë.  Ore, fajin e ka Macroni...