Kalvari i vrasjeve në Elbasan/ Kush është i ekstraduari Cani, vrau Gentian Beqirin në gjumë

Interpol Tirana bëri të ditur të mërkurën se ka ekstraduar nga Italia drejt Tiranës një të shumëkërkuar nga Elbasani, të kërkuar për vrasje.

Mësohet se bëhet fjalë për 28-vjeçarin Etjen Cani.

Ai dyshohet për një nga vrasjet më të bujshme në qytetin e Elbasanit, në vijim të një kalvari ekzekutimesh mes dy grupesh rivale në këtë qytet.

Në gusht të vitit 2012 u vranë me armë zjarri Gentian Beqiri dhe babai i tij.

Gjykata e kishte lënë Beqirin në arrest shtëpie, nën mbikëqyrjen e policisë. Por kjo nuk e pengoi autorët që të futen në banesë dhe ta ekzekutojnë Beqirin në gjumë.

Në atë kohë fillimisht u tha se babai i viktimës, dëshmitar i vetëm i ngjarjes, pësoi atak kardiak dhe vdiq një orë pas ngjarjes, pasi nuk mundi ta përballojë traumën që i shkaktoi vrasja e të birit.

Por më pas Prokuroria sqaroi se babai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit.

Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.

Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.