Atentati ndaj prokurorit Ndoja/ Të gjitha arsyet pse Edi Rama është dëshmitar kyç!

Plumbat që u derdhën mbi makinën ku udhëtonte kryeprokurori i Durrësit, Arian Ndoja, mund të shënjojnë edhe ngritjen plotësisht të siparit të asaj që ziente prej kohësh në qytetin bregdetarë.

Opinioni publik është tronditur nga kjo ngjarje e paprecedentë, sepse kuptoj se brenda makinës që u sulmua nga profesionistë të krimit gjendej gjithë thelbi i asaj që po ndodh në këtë zonë të rëndësishme të vendit, ku ndërthuren interesa të mëdha ekonomiko-kriminale dhe të trafikut ndërkombëtar të drogave të forta.

Brenda asaj makine ishte, ‘Drejtësia’, krimi, një varg atentatesh të bujshme gjatë 6 muajve të fundit e ende të pazbardhura; Porti i Durrësit; mijëra hektarë toka shtetërore e private të grabitura e të tjetërsuara në bregdet; Zyra e Kadastrës;  Bashkia e Vangjush Dakos dhe kjo `e reja` e 30 qershorit;  madje edhe vetë kryeministri i vendit dhe zëvendësi i tij.

Edi Rama i cili shfrytëzoi edhe foltoren e parlamentit për të zbuluar se prokurori Ndoja punon për një organizatë kriminale, tani pas atentatit vetëm hesht. Po njësoj hesht, edhe nr. 2 i qeverisë, Erion Braçe, i cili tregoi edhe detaje përpara gjykatës për këtë organizatë e cila kishte si ushtar, vetë kryeprokurorin e Durrësit.

Hesht edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili vetëm një ditë para se të ndodhte kjo ngjarje e rëndë kishte hedhur një hartim të gjatë në faqen e tij në FB, për të shpallur turp të policisë e të gjithë shoqërisë, një polic që shiste ca bizhuteri të vjedhura nga i vëllai në Gjermani.

Por edhe pse atentati në Shkozet duket se ‘i ka hequr petët lakrorit’, hetimi ka mbetur në vend për sa i përket porositësve, njësoj si për ngjarjet e tjera të kohëve të fundit si pasojë e të cilave janë eliminuar dhe tentuar të vriten koka të rëndësishme të krimit të organizuar. Duket qartë se të gjitha kanë lidhje me njëra tjetrën, si dhe me nisjen e një lufte të egër e cila që nuk dihet se kur do të mbarojë e çfarë do të lërë pas.

Duket qartë se ekuilibrat e deritanishme mes organizatave të fuqishme kriminale që veprojnë në Durrës dhe jo vetëm aty, janë prishur pa kthim. Kjo ka të bëjë me një seri zhvillimesh që nisin që me kapjen e sasive të mëdha të kokainës nga ndërkombëtarët, e vazhdojnë me disa veprime të qeverisë Rama me koncesione e ‘investime’ në zonën e gjerë të tokave që kapin bregdetin, nga lumi Ishëm, Gjirin e Llazit e deri në Kepin e Rodonit.

Nyja është mjaft e koklavitur sepse kemi të ngjizur politikën, qeverinë, pushtetin lokal, policinë dhe krimin e organizuar që ka në dorë një nga linjat më të mëdha së fundmi, të trafikun ndërkombëtarë të kokainës e heroinës. Të gjitha përplasen te ‘investimet’ në zonat e çmuara në bregdet dhe te Porti i Durrësit, të cilin agjencitë inteligjente të SHBA dhe ato të disa vendeve europiane e kanë shpallur si bazë, nën kontrollin e organizatave të fuqishme.

Kjo është arsyeja pse grupi hetimor i ngritur posaçërisht për atentatin ndaj kolegut të tyre, Arian Ndoja, edhe pse ka brenda emra të njohur dhe profesionist si Besim Hadarmataj e Anton Martin e kanë gati të pamundur, që ti shkojnë deri në fund kësaj çështje.

Po të shohësh me vëmendje zhvillimet e fundit e gjithë ata elementë që ‘po rrjedhin’, hetimi po fokusohet më së shumti në pistën e ‘hakmarrjes’.

Edhe zhvillimi i fundit sipas të cilit policia ka kapur ekzekutorin e atentatit dhe na del se ai është Redion Rraja, nipi i deputetit socialist të shumë përfolur Rrahman Rraja në Fushë-Krujë, duket se po e çon çështjen drejt mbylljes së saj me një larje hesapesh rajonale, me shoferin e prokurorit, ish-polic në atë zonë, apo pasagjerin tjetër me disa emra Pëllumb Muharrem.

Por kjo ngjarje është përtej shoferit, `Rumit`, të fortëve të Fushë-Krujës, Shijakut e Durrësit. Nëse nuk i shkohet deri në fund, situata edhe më të rënda se ajo e Shkozetit ka shumë gjasa që të ndodhin së shpejti.

Për të thelluar hetimin në fakt grupi hetimor  e ka një fill të lënë jashtë, të cilin prokurorët e çështjes nëse kanë vullnet dhe i lejojnë duhet që ta tërheqin sa më shpejtë, në ndihmë të zbardhjes së plotë të skemës.

Dhe ky fill është vetë Edi Rama!

Kryeministri dhe zëvendësi i tij janë deklaruar qartë dhe publikisht, se janë në dijeni të një organizatë kriminale e cila përdor për punët e saja në Durrës vetë prokurorin e rrethit. Këtij të fundit, vetëm pak kohë më pas ju bë atentat. Nuk ka arsye që të shfrenohet fantazia dhe Edi Rama të thirret e të pyetet, nëse ka dijeni konkrete për këtë ngjarje; Ai është ai urdhëruesi; kush janë ekzekutorët; si e planifikuan ngjarjen, e të tjera broçkulla si këto.

Por ka një gjë të rëndësishme, një indicio të fortë, për të cilën ai duhej të thirret me patjetër në zyrat e Krimeve të Rënda. Edi Rama është dëshmitari kyç i cili duhet të tregojë, se cila është organizata kriminale që përmendi në parlament dhe për të cilën punon prokurori Ndoja.

Ai është kryeministër dhe përderisa e lëshoi këtë deklaratë nga parlamenti dhe më pas në një studio televizive, padyshim që ka dijeni dhe informacion të saktë, sepse nën varësinë e tij është Kadastra e Artan Lames, policia e Sadër Lleshajt dhe Shërbimi Informativ.

Pra nëse kryeministri Rama dhe zëvendësi i tij, Braçe, ju tregojnë prokurorëve të çështjes organizatën për të cilën punon kolegu Ndoja, atëherë mund të ecet përpara me hetimin dhe të zbulohen rivalët e kësaj organizate, apo ish ortakët me të cilët ka gjasa që të jenë prishur së fundmi.

Nëse Edi Rama ju tregon organizatën kriminale e ku shërben prokurori të cilin kërkuan që ta eliminonin, mund të mësohet se çfarë ‘biznesesh’ posedon ajo; çfarë çështjesh të hapura ka me Kadastrën, prokurorinë, gjykatën, bashkinë dhe vetë qeverinë që drejton ai.

Kaq ndihmë-detyrim duhet të kryejë kryeministri Rama për grupin hetimor të kësaj ngjarje dhe ndoshta filli që la jashtë me deklaratat ‘e forta’ në parlament kundër Arian Ndojit, do të ç`thur nyjën e Durrësit, pa e bërë vetë këtë gjë organizata që tashmë janë në luftë të shpallur, të egër dhe pa kthim.