Brescia zgjedh trajner ish-kampionin e botës

Vetëm 7 pikë të grumbulluara në 10 javët e para dhe humbja minimale 2-1 dje në “Bentegodi” ndaj Veronës, bëri që presidenti i Brescias, Bruno Cellino, të shkarkonte nga puna trajnerin Eugenio Corini.

Ky i fundit bëri një mrekulli sezonin e kaluar në Serinë B, duke shpallur skuadrën kampione, por këtë verë ndonëse iu shtua në ekip një bomber race si Balotelli, nuk arriti të marrë rezultatet e duhura.

Megjithatë kur të gjithë prisnin që vendin e Corinit në pankinë ta merrte trajneri i Penarolit, Diego Lopez, Cellino ka befasuar sërish, pasi ka zgjedhur një tjetër italian për t’i besuar mbijetesën e Brescias në Serinë A.

Bëhet fjalë për ish-kampionin e botës me Italinë në 2006-ën, Fabio Grosson, që duhet thënë se së fundi ka drejtuar pikërisht Veronën sezonin e kaluar në Serinë B, ku edhe u shkarkua në 1 maj, shumë pak javë para mbylljes së kampionatit.

Pas një karriere të gjatë si mbrojtës i majtë, Grosso filloi eksperiencën si trajner me të rinjtë e Juventusit, ndërsa më pas drejtoi edhe Barin e Veronën në Serinë B.

Ky do të jetë shansi i parë për Grosson, që të drejtojë një skuadër në Serinë A.