Drejtori i SYRI.net: Ja pse Basha ka nisur fazën e dytë në rrugën drejt pushtetit

Drejtori i ri i informacionit në Syri.net, Enton Palushi, komentoi në SYRI TV fushatën e nisur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Palushi tha se Basha po futet në fazën e dytë të rrugës drejt pushtetit, pasi e ka konsumuar fazën e parë. Sipas Palushit, faza e parë ka qenë e suksesshme pasi ajo kishte për qëllim rrëzimin moral dhe politik të kundërshtarit.

Palushi tha se, sipas mendimit të tij, ka një konsensus në shoqëri që kryeministri Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij, pasi është rrëzuar politikisht dhe moralisht dhe kjo nënkupton se faza e parë ia ka arritur qëllimit.

Sipas Palushit, faza e dytë nënkupton që PD dhe Lulzim Basha do e bëjnë të pranueshme alternativën e tyre për shqiptarët.

Duke e vënë theksin tek fakti që kjo fushatë nis me rininë, Palushi tha se kjo është e qëllimshme pasi rinia nuk është më si dikur, që shërbente si një bazë e mirë për partitë politike.

“Rinia nuk angazhohet më në politikë,” tha Palushi duke shtuar se problemi i madh është se politika shihet si e keqja e madhe në vend. Kjo është kthyer në problem për Bashën, por do kthehet akoma më shumë për socialistët kur të kalojnë në opozitë dhe të shohin se sa e vështirë është që të ‘shërohet’ politika nga mosbesimi.

Palushi tha se misioni i Bashës nuk është vetëm që të rrisë kuotat e PD-së, por edhe të shtojë besimin tek politika.

Në këtë kuadër, Palushi tha se edhe fushatat mediatike kundër Bashës kanë për qëllim që të njollosin politikën duke thënë se të gjithë janë njësoj në politikë, të gjithë janë të korruptuar.

“Fushata kundër Bashës ka një të mirë, pasi socialistët po e shohin si kryeministrin e ardhshëm të shqiptarëve. Por e keqja është se ata po vazhdojnë të njollosin profesionin e politikanit, duke thënë se janë të gjithë njësoj,” tha Palushi.

Sipas tij, nuk ka dy njerëz njësoj, sikundër nuk mund të ketë dy politikanë njësoj. Historia ka njohur diktatorë, autokratë, politikanë të mirë dhe të keqij, tha ai.

Palushi tha se Basha i ka kritikuar dhe sulmuar oligarkët më shumë se të gjithë të tjerët. Nëse do kishte mbështetjen e tyre, kjo do shihej tek mbështetja e medias. Sot hapësira e lirisë është kufizuar ndjeshëm për opozitën, si rrallë ndonjëherë, tha Palushi.