Kili anuloi organizimin e konferencës për klimën, OKB-ja cakton vendin ku do zhvillohet

Kombet e Bashkuara konfirmuan të premten se bisedimet e këtij viti për klimën do të zhvillohen në Madrid, pasi Kili u tërhoq nga organizimi i tyre për shkak të protestave atje.

Shefja për klimën e OKB-së, Patricia Espinosa, tha se përfaqësuesit e shteteve do të mblidhen nga data 2 deri më 13 dhjetor në Madrid, raporton Rel.

Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, tha të mërkurën se ka anuluar organizimin e konferencës për t'u përqendruar në rivendosjen e sigurisë në vend, pas disa javësh protesta, që lanë dhjetëra njerëz të vdekur.

Zyra e kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, u ofrua të enjten si nikoqire.

Qëllimi i konferencës është të jepen detaje për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet Klimatike.