Ndahet nga jeta kitaristi i grupit të famshëm shqiptar

Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera.

Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupi MAK nga Mitrovica, grupi TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni.

Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi.

Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).

Por ditën e djeshme njëri prej anëtarëve të këtij grupi Nuredin Azemi është ndarë nga jeta.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur miku dhe kolegu i tij Veli Sahiti me anë të një postimi në Facebook.

Ai publikoi një fotografi të kolegut të tij tashmë të ndjerë, duke iu shprehur ngushëllime të gjithë dashamirëve.

“Sot iku për në botën tjetër miku im, njëherit edhe anëtari i grupit Trix Nuredin Azemi. Pushoft në paqe shpirti yt. I përjetshëm do të mbetet kujtimi për ty..”, ka shkruar Veli Sahiti.

Më poshtë po ju sjellim një nga hitet e këtij grupi ‘Zeshkanja ime’.