Reja merr lajme të mira nga Italia, dy mesfushorët bëhen gati për Kombëtaren
Shqipëria ka edhe dy ndeshje për të mbyllur këtë edicion kualifikues të “EURO 2020”, ndaj Andorrës e Francës, dhe për trajnerin Edi Reja rëndësi ka çdo futbollist.
Duke qenë se përballë do të jenë dy skuadra të niveleve të ndryshme, atëherë do të bëhet i mundur menaxhimi i forcave për të siguruar rezultat maksimal në secilën.
Ndeshja Brescia-Inter i dha trajnerit të Kombëtares një lajm të rëndësishëm, teksa Emanuele Ndoj debutoi në Serinë A.
Mesfushori u rikthye nga një dëmtim që e mbajti jashtë fushave për tre muaj.
Së fundmi, për trajnerin e Kombëtares, Italia sjell një “buqetë” lajmesh pozitive.
Ledian Memushaj është rikthyer dje në stërvitje, pasi për shkak të një dëmtimi humbi ndeshjen e kaluar ndaj Juve Stabia.
Mesfushori i “Delfinëve” është kthyer i gatshëm dhe pritet të jetë në dispozicion të teknikut Reja për dy ndeshjet e kuqezinjve me Andorrën dhe Francën.