‘VAR-i ku është? Po e shkatërroni futbollin italian’

Java e 11-të e Serie A do të mbahet mend si nga javët më me shumë polemika për vendimet e arbitrave dhe përdorimin e VAR-it.

Polemikat në Napoli-Atalanta u pasuan nga ato në Juventus-Genoa, për kartonin e kuq që gjyqtari i ri Giua i dha Cassatas, i cili ishte shumë i ekzagjeruar, por edhe për kartonin e kuq të mohuar ndaj Bentancur në minutat e fundit dhe pse jo ndaj Ruganit që në pjesën e parë.

Megjithatë Giua i vuri kapak gjithçkaje me penalltinë që akordoi në favor të Ronaldos në minutat shtesë, 11-metërsh që u kthye në gol nga portugezi dhe që i dha fitoren bardhezinjve me shifrat 2-1.

Kontakti me Sanabrian ishte, por Ronaldo e kërkoi atë dhe hedhja ishte shumë e shëmtuar pavarësisht prekjes së lehtë që pati nga sulmuesi i Genoas.

Një penallti e ngjashme iu dha Imobbiles në Lazio-Atalanta pak ditë më parë, por jo çdo prekje e tillë është penallti, edhe pse në këtë rast Giua u konsultua edhe me VAR-in.

Penalltia e akorduar në favor të Ronaldos ka ngjallur irritimin e vëllait të lojtarit të Napolit, Lorenzo Insigne, Marcos, i cili ka bërë një postim në Instagram teksa komenton: “VAR-i ku është? Jeni shkatërruesit e futbollit italian”.

Fjalë këto në drejtim të arbitrave që vinë menjëherë pas atyre të presidentit të Napolit De Laurentiis.

Në foton e publikuar nga Marco Insigne ka komentuar edhe kapiteni i Genoas, Domenico Criscito, i cili nuk luajti në këtë sfidë për shkaqe dëmtimi me këtë të fundit që shkruan “sa e shpifur”, por më pas Criscito e ka fshirë komentin.