‘Arena Kombëtare’ ngel në klasë nga UEFA, ja problematika me stadiumin e ri!

Nëse FSHF dëshiron që të zhvillojë ndeshjen ndaj Francës në nëntor në “Arenën Kombëtare”, do t’i duhet që me urgjencë të bëjë ndryshime të mëdha në impiant e të ofrojë kushte më të përshtatshme për mediat dhe transmetimin televiziv.

Kjo ka qenë një nga detyrat kryesore që inspektimi i fundit UEFA-s u ka lënë drejtuesve të FSHF-së, duke u bërë të qartë se situata aktuale nuk përputhej me kërkesat minimale që duhet të plotësojë për të siguruar licencimin për këtë sfidë.

Sipas RTSH, në inspektimin e fundit, UEFA ka konstatuar se vendet e caktuara për kamerat e transmetimit në tribuna nuk ishin të përshtatshme, për një sinjal të pastër transmetimi. Gjithashtu, vendet e komentatorëve të ndeshjeve si dhe të mediave, nuk kishin të gjitha shikueshmëri të qartë të asaj që ndodhte në fushën e lojës.

FSHF i kishte kaluar në plan të dytë këto gjëra, por për UEFA-n, ato janë shumë të rëndësishme në mënyrë që të shesë sa më mirë produktin e saj. Ndaj ajo ka lënë si detyrë që të bëhen sa më shpejt korrigjimet e këtyre gabimeve në planin e FSHF-së, për të bërë të mundur që gjithçka të jetë gati për ndeshjen e nëntorit.

Sipas planit paraprak, FSHF do të ketë më 3 nëntor ndeshjen e parë testuese, atë mes Vllaznisë dhe Apolonisë për femra, për të parë gjendjen e sistemeve të impiantit. Por më parë, institucioni i futbollit duhet të zgjidhë këto probleme që nuk i kishte parashikuar, ndaj është në luftë me kohën për të sistemuar gjithçka, pasi dueli kundër Francës është më pak se 3 javë larg. / Vipsport