VIDEO/ Mbrojtësi shqiptar shënon golin e fitores në transfertë

Mbrojtësi i Kombëtares, Besir Demiri, ishte protagonist në triumfin 0-1 që skuadra e tij Zilina arriti në transfertë ndaj Trnavës, në ndeshjen e vlefshme për kampionatin sllovak.

Shqiptari realizoi golin e fitores, teksa në minutën e 44-t, me një gjuajtje të kalibruar me të majtën, e dërgoi topin në trekëndësh, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar.

Një supergol që i siguroi 3 pikë të arta Zilinës, që u ngjit në vendin e dytë, me 30 pikë në 13 ndeshje, 2 më pak se kryesuesit e Slovan Bratislavës.

Ky ishte goli i dytë për Demirin në kampionat. Ai u transferua në merkaton e verës nga ukrainasit e Mariupolit drejt kampionatit sllovak, ku veshi fanellën e Zilinës.

Kujtojmë që 25-vjeçari u grumbullua disa kohë më parë nga trajneri Christian Panuci në ekipin Kombëtar, por ende nuk ka arritur të debutojë në një ndeshje zyrtare me fanellën kuqezi.