Tejzgjatet, shpallja e rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e di se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare, të mbajtura më 6 tetor.

Shpallja e këtyre rezultateve tani varet nga vendimi i Gjykatës Supreme për numërimin ose jo të një pjese të votave që kanë ardhur me postë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur që votat që kanë arritur me postë pas ditës së zgjedhjeve, më 6 tetor, të mos numërohen fare, pasi i vlerësoi si vota të vonuara. Por, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën Supreme, e cila është shkalla më e lartë e vendimarrjes për procesin zgjedhor në Kosovë.

Vetëvendosje, e cila beson se numërimi i votave të ardhura me postë nga diaspora do t’ia shtojë epërsinë ndaj partive tjera, janë vonuar për shkak të neglizhencës së postës, pranda vendimi për mosnumërimin e tyre përbën shkelje të së drejtës themelore të qytetarëve për të zgjedhur, shkruan Illyria.

Pavarësisht prej vendimit të Gjykatës Supreme, certifikimin e zgjedhjeve mund ta shtyjnë edhe kërkesat eventuale të subjekteve zgjedhore ose të kandidatëve për rinumërim të vendvotimeve. Shumica e subjekteve politike kanë shprehur dyshime se gjatë procesit të numërimit të votave ka pasur manipulime, më së shumti me vota të kandidatëve të subjektevve politike.

Gjatë procesi të numërimit ose të rinumërimit të votave në Qendrën për Numërim dhe Rezultate janë konstatuar shumë mospërputhje midis numrit të votave të subjekteve politike dhe numrit të votave të kandidatëve. Raportimet nga kjo qendër thonë se rinumërimi ka nxjerrë rezultate të ndryshme prej atyre që janë raportuar nga komisionerët e vendvotimeve.

Fenomeni i manipulimit me vota të kandidsatëve ose, siç po cilësohet, “vjedhje e votave brenda llojit” nuk është i panjohur në Kosovë. Vëzhguesit e zgjedhjeve i fajësojnë zyrtarët e partive politike për manipulim me vota, ndërsa KQZ-në e akuzojnë për mungesë të vullnetit për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.