Meta: Shqipëria, vend anëtar i besueshëm i NATO-së, besimplotë për anëtarësim në BE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, e cilësoi Shqipërinë avokate të fortë për anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit në aleancë.

Në një konferencë për media pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Stoltenberg deklaroi se, Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm në stabilitetin dhe paqen e rajonit.

 “Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në NATO. Deri tani nuk ka pasur asnjë vendimmarrje për sa i përket ndërtimit të bazave ushtarake në Shqipëri”, theksoi ai gjatë një konference shtypi me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ndërkohë, presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh ndër të tjera se, Shqipëria është një vend i besueshëm i NATO-s, duke shprehur besim edhe për anëtarësimin e vendit në BE.

“Ne kemi diskutuar me sekretarin e Përgjithshëm në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ashtu siç e kemi bërë të qartë edhe gjatë takimit me Presidentin e Maqedonisë, ne jemi të vendosur në përpjekjet tona për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne jemi një vend anëtar i besueshëm i NATO-së dhe kemi besim për anëtarësim në BE”, tha Meta.

Kreu i shtetit nuk anashkaloi as Kosovën në fjalën e tij, teksa u shpreh se: "E drejta e Kosovës për të transformuar forcën e saj në ushtri është një burim sigurie në rajon.  Duhet ta mbajmë Ballkanin si një zonë të bashkuar drejt perëndimit".