VIDEO/ Ribery rrezikon ndëshkim të rëndë, shtyn arbitrin pas sfidës me Lazion

Franck Ribery rrezikon të marrë një dënim shembullor për shkak të sjelljes së tij të pahijshme ndaj gjyqtarit anësor në përfundim të takimit Fiorentina-Lazio 1-2.

Francezi u shfaq nervoz që në momentin e zëvendësimit, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, por me kartonin e kuq që mori pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit, tregoi se e kishte humbur toruan.

Vendimin e trajnerit Montella për ta ndërruar nuk e priti aspak mirë, duke tundur disa herë kokën, si për të treguar që nuk ishte dakord me të, por veprimi i tij ndaj anësorit Passeri, të cilin e shtyu hapur, është i patolerueshëm.

Për këtë arsye ka marrë kartonin e kuq në tunelin që të çon  në dhomat e zhveshjes.

Ribery mësohet se ka protestuar ashpër për një episod para se të shënohej goli i 2-1, duke pretenduar për ndërhyrje të gabuar të Lukakut ndaj Sottil.

Për shtyrjen e anësorit, francezi rrezikon një pezullim të gjatë, por gjithçka do të varet nga raporti i Passerit për rastin në fjalë.