VIDEO/ Basha: Rruga e qartë, zgjedhje të parakohshme parlamentare e lokale në 1 ditë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi sot nevojën e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri, zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë.

Tek foli për rolin e OSBE-së lidhur me zgjedhjet, Basha veçi tre fushat kryesore ku ajo ndihmonte: "Rolin që ka OSBE për t'i kujtuar shteteve anëtare, përmbushjen e detyrave, t’u afrojë ekspertizën dhe të ndihmojë në dialogun politik, për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Për opozitën është e qartë, e njejta rrugë: Miratimi i Reformës Zgjedhore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese vendore, ku votat nuk tjetërsohet nga një qeveri e paaftë si kjo e kryeministrit aktual."

Po ashtu, Basha i konsideroi budallallëqe, idetë e Damian Gjiknurit, Bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, se mazhoranca pranonte të dialogonte me opozitën jashtë parlamentit nëpërmjet OSBE-së për Reformën Zgjedhore.

“Këto janë budallallëqe! Për t’i hedhur hi syve të njerëzve dhe për t’ju bërë juve që të bëni pyetje të tilla dhe ta fusni diskutimin në qorrsokak. Këto punë nuk bëhen me shkes. As në Afrikë, jo në Evropë, po ashtu siç bëhet dialogu politik, siç janë zgjidhur krizat politike dhe në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Merrini shfletojini, mund t’u jap edhe leksion, por sikur nuk ëhstë vendi...ato janë budallallëqe. “Merri ti, m’i jep këtu, i ço aty!” janë heqje përgjegjësie” tha Basha.