U largua sezonin e kaluar, De Rossi pranë rikthimit te Roma

Daniele De Rosi u largua nga Roma në fund të sezonit të kaluar, për të nisur një aventurë tjetër larg Italisë.

Pas 19 viteve me verdhekuqtë, mesfushori vendosi që të vazhdojë karrierën në një ekip tjetër, siç është Boka Zhuniors. Megjithatë aventura e tij në Argjentinë, nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Shkak për këtë u bënë dëmtimet e shumta, të cilat e kanë shoqëruar lojtarin në këtë fillim të sezonit. Sipas asaj që shkruan “La Gazzetta dello Sport”, De Rosi mund të rikthehet përsëri te Roma, por këtë herë jo në rolin e futbollistit.

Drejtuesit verdhekuq kanë menduar t’i besojnë 36-vjeçarit, rolin e trajnerit tek skuadra e të rinjve, verën e ardhshme. Në rast se mesfushori e pranon këtë, atëherë në këtë post do të merrte vendin e babait të tij, Alberto, i cili aktualisht mban rolin e trajnerit te skuadra e të rinjve.