FOTO/ Shkatërrohet qendra e spiunazhit kibernetik në Itali: Viktima Renzi, Monti e Draghi. 2 të arrestuar

Policia italiane në koordinim me Prokurorinë e Romës, ka shkatërruar një qendër të spiunazhit kibernetik në Romë dhe ka arrestuar dy persona.

Dy të arrestuarit janë Giulio Occhionero, 45 vjeç, inxhinier bërthamor dhe motra e tij Maria Francesca, 49 vjeçe, një financiere e lartë në Londër, por banuese në Romë.

Sipas mediave italiane, vëlla e motër mbanin nën monitorim kompjuterat e ish-presidentit të Këshillit, Matteo Renzi dhe Mario Monti si dhe presidentin e Bankës Qëndrore Evropiane Mario Draghi.

Po ashtu ata spiunonin edhe financierë të tjerë të lartë, institucione, administratën publike, studio profesionale dhe sipërmarrje kombëtare.

Sipas hetimeve, dyshja e vënë në pranga mblidhte informacione konfidenciale prej vitesh. Ata tashmë janë arrestuar për një sërë akuzash: marrje informacioni në lidhje me sigurinë e shtetit, qasje të paautorizuar në sistemin kompjuterik dhe përgjim të paligjshëm të komunikimeve kompjuterike.

Gajtë operacionit të koduar EyePiramid (Syri i Piramidës) është zbuluar se vëlla e motër drejtonin një rrjet kompjuterik duke përdorur një malware me emrin EyePiramid, siç edhe është quajtur operacioni hetimor, që i lejonte të mblidhnin informacion konfidencial dhe të dhëna të ndjeshme të dhjetëra personave në pozicione të ndryshme, sidomos në botën e financave.

Në fotogalerinë e mëposhtme, pamjet e qendrës së spunazhit kibernetik

Lista e disa prej personave të spiunuar:

Ish-kryeministri italian Matteo Renzi
 
Presidenti i Bankës Qëndrore Evropiane, Mario Draghi
 
Ish-Kryebashkiaku i Torinos, Piero Fassino
Ish-komandanti gjeneral i Guardia di Finanza, Saverio Capolupo
Ish-kryeministri Mario Monti
 
Paolo Poletti, Zëvendës Drejtori Financiar i Informacionit dhe Sigurisë të Brendshme
 
Ish-ministri Fabrizo Saccomanni
 
Monsignor Ravasi