FOTO/ Deputeti i vjetër socialist revoltohet ndaj shtetit: Qytetarët po i dalin zot vetes!

"Në këtë dimër të acartë, bashkëfshatarët e mi në Borje të Kukësit i dolën zot vetes.  Nuk e kanë duruar kurrë dhe nuk e pranojnë izolimin, ngado që të ketë ardhur ai! "

ja çfarë shkruan Namik Dokle në Facebook:

Para dy ditësh, burrat e këtij fshati u ngritën të gjithë dhe shpëtuan një grup elektricistësh të rrethuar nga "vdekja e bardhë".

E kanë bërë këtë akt human dhjetra herë, kurdo që dikush është përballur me të keqen dhe ka patur nevojë për ndihmë.
Shikojini këto foto...

Vetë hapin rrugët për të shkuar te njeri-tjetri dhe pastaj, të gjithë bashkë, hapin rrugën drejt Prizrenit. (Kukësi është "larg" dhe me rrugë të bllokuara, ndërkohë që Kosova i ka hapur të gjitha rrugët e Gorës!)

Por bashkëfshataret e mi të mirë nuk harrojnë të hapin edhe "rrëshqitësen" për fëmijë (luzgallo e quajnë ata) dhe madje të bëjnë edhe ndonjë foto artistike nga ky dimër. E duan jetën me gjithçka që ajo u ofron!

E pra, këta njerëz të mirë, që e fitojnë jetën me duart dhe shpirtin e tyre të paepur, meritojnë shumë më tepër nga qeveria që votojnë!