VIDEO/ Manchester United ndal Liverpoolin në ‘Old Trafford’

Është mbyllur në barazim 1-1, derbi i zjarrtë i Premier Ligës, mes Manchester United dhe Liverpoolit.

Pavarësisht formës jo të mirë që po kalon, skuadra e Solskjaer, arriti të ndalte të kuqtë e Jurgen Klopp, pas 8 fitoresh radhazi në kampionat, duke u konfirmuar si “macja e zezë” e Liverpoolit në shtëpi.

Ishte Rashford, i cili në minutën e 36-të, zhbllokoi shifrat, duke dërguar “Djajtë e Kuq” në dhomat e zhveshjes me epërsinë e një goli.

Në pjesën e dytë, kryesuesit e kampionatit, u hodhën në sulm, në kërkim të golit të barazimit, teksa duhet të shkonte minuta e 85-të, që Lalana të vendoste baraspeshën, duke shmangur një humbje të mundshme.

Me pikën e sotme, të kuqtë e Klopit, u ngjitën në kuotën e 25 pikëve, teksa diferenca ndaj Manchester Cityt u ngushtua në 6 pikë, ndërkohë që United mban vendin e 13-të me 10 pikë në 9 ndeshje.