Armando Cungu: Jam i zhgënjyer, i falëm shumë terren Tiranës

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, ka folur për mikrofonin e “Supersport”, pas sfidës që ekipi i tij humbi, nga Tirana me rezultatin 2-1.

Ai ishte i zhgënjyer nga ky rezultat dhe pranoi se ekipi i tij është një pozitë jo të mirë në tabelën e renditjes. Sipas tij objektiv është të mblidhen sa më shumë pikë dhe jo të bëhen aventura.

“Jam i zhgënjyer. Në pjesën e parë pësuam një gol të shpejtë, por barazuam direkt. Kalenë nuk arritëm ta ndalim. Isha i bindur se do të ishte problem Kale ashtu si Hasani me hyrjet e tyre. Nuk duhet të kishim dhënë hapësira. Nuk ishte vetëm rasti i golit, por na hapën probleme dhe me Hasanin. Në pjesën e dytë u munduam të merrnin masat. Kishim dëshirë, sulmuam, luajtëm pas me tre lojtarë, duke i dhënë hapësira Fangajit, por nuk arritëm të shënojmë”.

Sa e vështirë është situata? “Normalisht që pikët mungojnë. Kemi shumë punë, duhet të rregullojmë shumë gjëra dhe të besojmë më shumë në vete. Ka një ngërç psikologjik te lojtarët. Duhet të besojmë, sepse kemi mundësitë. Edhe sot mund të barazonim. Kjo tregon se ekipi ka mundësi të marrë pikë dhe me ekipe që pretendojnë”.

Starova kishte objektiv titullin, po ju? “Objektivi im është të marrë sa më shumë pikë, dhe rrugës do të bëhen llogaritë. Duhet të jemi serioz dhe jo të bëjmë aventura. Më vonë do të bëhen llogaritë duhet të bëjmë sa më shumë pikë”.