Mema: Duhet të vijë goli i sigurisë që ta shoh ndeshjen i qetë

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema ka folur pas fitores 2-1 në përballjen ndaj Laçit.

Në një reagim për “Supersport” Mema u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe pret që ndeshjet në vazhdim të shënohet një gol qetësie, që të mbyllë sfidën.

Gjithashtu ai ka folur dhe për zgjedhjen e tij, të niste ndeshjen me Dungën titullar.

“Mbas rezultateve jo pozitive kjo ishte gjëja më e mirë që të fitonim tre pikë e të kthenim entuziazmin. Në një klub që ka pretendime për titull, ndodhin edhe këto. Kemi qenë disi në presion, për rezultate. Më pëlqeu, Karabeci dhe Dunga, ditën e sotme, që nëse mund t’i quajmë prurje të reja”.

Kur do e shihni ndeshjen 20 minutat e fundit i qetë? “Duhet të vijë goli i sigurisë, pasi edhe unë kam shumë stres. Ekipi ka luftuar dhe e ruajtur rezultatin. Duhet të shënohet ai goli i sigurisë dhe të mos ndodhë kështu. Shpresoj ta kemi këtë qetësi, në vazhdim”.

Dunga i ka dhënë përgjigjet e tij? “Janë disa gjëra që janë të brendshme. Dunga e ka merituar të futej dhe kjo ka qenë zgjedhja ime. Prandaj dublohen pozicionet në merkato. Them që ka vend për të gjithë, pasi kampionati është i gjatë. Edhe Torasa nuk mori pjesë në lojë. Nuk mund të themi se një lojtar do të qëndrojë vetëm në stol”.