VIDEO/ Çfarë ti them djalit? Nuk bëra gjë?!...

Margarita Doçi, tregon në “Stop”, se ka ardhur nga Greqia në qytetin e Laçit, pasi gjendja civile ka bërë një gabim në ditëlindjen e djalit të saj. I biri ka lindur në Greqi në vitin 2001. Kur ka ardhur pas dy vjetësh për ta regjistruar në Laç, datën e lindjes ia kanë regjistruar gabim.

Një gjë të tillë, thotë Margarita, as që e kishin vënë re, deri kur pati përplasje dokumentacioni në Greqi. Që djali të vazhdojë shkollën, duhet të bëhet ndryshimi në Shqipëri. Procesi gjyqësor kërkon që të bëhet ndryshimi, por ky vendim është apeluar nga Gjendja civile e Laçit në vitin 2018 dhe akoma nuk është marrë një vendim.

Margarita: Djalin e vogël e kam lindur në Greqi. Ka lindur në datën 5 qershor 2001. Kam shkuar për ta regjistruar një ditë mbas lindjes. Është në 6 regjistrimi dhe në 5 lindja. Erdha mbas dy vjetësh për ta regjistruar tek bashkia e Laçit. E kam sjellë të përkthyer se këta nuk e kuptojnë. Edhe, ajo ka bërë gabim pa dashje, nuk mundem të them, është bërë gabimi, pa dashje. Nuk e shikuam e morëm se ishim për të ikur, ishin letrat për t’u bërë me të shpejtë dhe se pamë fare që bëri gabim.

Gazetarja: Kur e keni kuptuar gabimin?

Margarita: E kuptuam në 2016 se erdhi të bëjë letrat greke, se rri atje, ka leje atje ka dalë ligji. Kur erdhi burri i thanë se bëhet kjo punë, por bëhet vetëm me gjyq.

Gazetarja: Vendimi i gjykatës së shkallës së parë çfarë nxori?

Margarita: Nxori se bëhet kjo punë. Se çfarë kanë bërë…Këta na kanë çuar në apel.

Gazetarja: Në çfarë viti bëhet fjalë?

Margarita: Për vitin 2018 në 15 Shkurt, që kanë bërë apelin dhe ne një vit e gjysmë nuk e kemi ditur se është bërë apel, tani kohët e kemi marrë vesh.

Margarita thotë se djali i saj po e vuan shumë psikologjikisht, pasi nga ky gabim, nuk ndjek dot shkollën.

Margarita: Djali mua më ka mbetur pa shkollë. I ka dalë për shkollë të lartë, nuk mundet. Djali im ka pësuar psikologjikisht, nuk del, rri brenda në dhomë nuk del. Unë nuk mundem të shkoj pa kryer punë se nuk kam çfarë t’i them. Edhe këtu, unë duke e qenë se e kam për në 2018, duhet të pres edhe dy vjet –tre. Unë çfarë t’i bëj djalit? çfarë t’i them djalit, ku më ka faj djali… Pse nuk na kanë sqaruar? Pse nuk na kanë thënë diçka? Pse? Nuk kemi vrarë askënd…Nuk di çfarë të bëj. Çfarë t’i them djalit? Nuk bëra gjë…

Sipas gjendjes civile të Laçit, procesi gjyqësor është zhvilluar gabim, pasi duhet të ishte paditur edhe zyra e arkivës në Laç, ku ndodhet akti i lindjes gabim.

Përgjegjësi: Ka një akt lindje, që është mbajt në Laç dhe një akt-lindje, që është mbajt në Greqi. Ligji i gjendjes civile thotë, që gjykata duhet të nxjerrë të pavlefshëm njërin nga aktet e lindjes, që t’i të bazohesh tek tjetri, prandaj është bërë ankimimi.

Gazetarja: Në momentin, që thotë të ndryshohet, sipas aktit të lindjes, sepse është sipas aktit të lindjes, që zonja ka në Greqi, apo jo?

Përgjegjësi: Nuk mund të rrinë në fuqi dy akte.

Gazetarja: Sigurisht, përderisa do bëhet ndryshimi, do merret parasysh akti, që ka në Greqi.

Përgjegjësi: Po! Do të thotë, që akti që është mbajt në Shqipëri, do hidhet poshtë. Ka padit zyrën e gjendjes civile këtu, duhet të kishte padit…Unë këtë akt nuk e kam në zyrë fare, e ka zyra e arkivës, a më kupton? Nuk e disponoj. Thjesht zyra e gjendjes civile e mban aktin, për shembull jemi në vitin 2019, në 2020-ën, në janar të vitit 2020 e dorëzojmë në arkivë dhe paditet zyra e arkivës, se ajo ka aktin aty. Nuk e kemi ne. A e kupton, që është bërë komplet procesi gjyqësor gabim? Nuk duhet të ishte zvarrit aq shumë, se kanë afate.

Pas interesimit të “Stop”,në Gjykatën Administrative të Apelit, gjykatësja kishte në dorë dosjet e vitit 2016, ndërkohë që për dosjen e Margaritës, që i përket vitit 2018, do të duhet një kohë e gjatë. Për një procedurë përshpejtimi do të duhet 1 muaj, që kërkesa t’i shkojë gjyqtares dhe më pas do merret vendimi do të shqyrtohet apo jo. /tvklan.al