Hahn zhgënjehet: Nuk i hapën negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Johanes Hahn, Komisioneri Europian për Zgjerimin ka shprehur sot zhgënjimin e tij për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Këshillin Europian. Në një shënim në Twitter, Hahn shprehet: “Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dështuan të vënë në jetë, angazhimin e tyre për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Këshillin Europian. Kjo është një çështje zhgënjimi ekstrem.

Shtetet anëtare të BE tani duhet të qartësojnë sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor.

Falenderoj të gjithë ata që gjatë gjithë natës përdorën të gjithë autoritetin e tyre, për të arritur një vendim me rëndësi të madhe strategjike për BE-në dhe luftuan për të dërguar një sinjal shprese tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Siç u tha në Luksemburg: Ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Të refuzosh të pranosh progresin do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me plot ndikim në BE.

Tani është përgjegjësia jonë të qëndrojmë pranë vendeve, qytetarët e të cilave janë zhgënjyer me të drejtë dhe do të vazhdoj të bëj gjithçka me gjithë forcat e mia për t’i mbështetur ata.

Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor mbetet një politikë e rëndësishme strategjike me interes të ndërsjellë,” përfundon Hahn.