Pas kërcënimeve të Ramës dhe të Braçes, lirohet ish drejtori i Kadastrës në Durrësi

Ka qenë i paprecedent sulmi i kryeministrit të vendit Edi Rama dhe zëvendësit të tij, Erion Braçe, ndaj prokurorisë dhe gjykatës së Rrethit Durrës pas arrestimit dhe lënies në burg të ish-drejtorit të Kadastrës në këtë qytet, Liridon Pula.

Nëse Rama shfrytëzoi parlamentin për sulmuar dhe kërcënuar organet e drejtësisë për këtë rast, Erion Braçe, madje u shfaq edhe në seancën gjyqësore që e la në burg Pulajn. Rama duke folur për këtë rast deklaroi, se të gjithë këta prokurorë e gjyqtarë që kishin lënë prapa hekurave të përzgjedhurin e Rilindjes në krye të një prej Hipotekave më të rëndësishme në vend, do të përfundonin vetë në burg.

Duket se gjithë ky presion i qeverisë i dha efekte e veta, këtë herë në Gjykatën e Apelit në Durrës, e cila liroi sot nga burgu ish-kreun e Hipotekës duke ja zbutur masën, në “detyrim paraqitje”.

Arrestimi i tij ishte kryer në kuadër të hetimeve që po zhvilloheshin nga prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja për abuzime me trojet në Gjirin e Llazit. Rama e quajti prokurorin Ndoja, pjesëtar “të organiatës kap ç`të kapësh”, dhe në shërbim të krimit të organizuar.

Pulaj ishte dënuar nga gjykata e Faktit me “arrest me burg ” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.