Armëpushim 120 orësh/ SHBA zbyth Erdoganin

Zv/presidenti i SHBA Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo njoftuan pak minuta më parë se ata kanë arritur një marrëveshje armëpushimi midis Turqisë dhe kurdëve, pas një takimi me Presidentin Recep Tayyip Erdogan në Ankara.

Marrëveshja vjen disa orë pasi doli një letër në të cilën Presidenti Trump paralajmëroi homologun turk duke i kërkuar të mos sillet si "budalla" dhe "të mos bëjë të fortin".

Të gjitha operacionet ushtarake do të ndalen për 120 orë, ndërsa SHBA do të ndihmojë në lehtësimin e "tërheqjes së rregullt" të trupave të drejtuara nga kurdët nga ato që Turqia i cilëson "zona të sigurta" në kufi.

Armëpushimi i arritur është përshëndetur edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.

"Lajm i shkëlqyer nga Turqia. Konferencë për shtyp së shpejti. Falemindeirit Erdogan, miliona jetë do të shpëtohen", shkruan Trump në Twitter. 

Turqia nisi sulmin e saj javën e kaluar. Ai synonte të shtynte luftëtarët kurdë nga kufiri dhe të krijonte këtë "zonë të sigurt" për të rivendosur refugjatët sirianë.

Ofensiva ndërkufitare erdhi pasi Presidenti amerikan Donald Trump nxori forcat amerikane nga zona.

Vendimi i tij ka shkaktuar një mori kritikash brenda dhe jashtë vendit, me disa që e akuzojnë atë se i dha presidentit turk Erdogan një "dritë jeshile" për operacionin.

“Pak rëndësi ka se çfarë thonë disa, ne nuk do ta ndërpresim këtë operacion kundër Njësive për Mbrojtjen e Popullit (YPG) në verilindje të Sirisë”, do të deklaronte Erdogan gjatë një fjalimi.

“Kemi marrë tashmë kërcënime si nga e djathta dhe nga e majta, na është thënë “ndaloni”.(…) Ne nuk do të kthehemi pas”, nënvizoi presidenti turk.

Por mesa duket letra e ashpër e Trump e ka bërë të ndërrojë mendje. /Syri.net