Erdhi me bujë te Tirana, Andi Lila sërish në operacion

Andi Lila mbërriti në ditën e fundit tek skuadra e Tiranës me shumë bujë. Megjithatë, kur është luajtur thuajse faza e parë e Superiores, Lila ende nuk ka debutuar me fanellën e bardhebluve duke qenë se erdhi i dëmtuar nga PAS Janina, skuadër me të cilën luante në Greqi.

Ndërkohë, debutimi i tij do të shtyhet ende pasi ish-mesfushori i Kombëtares ka pësuar një tjetër dëmtim në këtë fazë riaftësimi. Ka qenë mjeku i tij, ai i cili i ka rekomanduar kavajasit një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në menisk duke qenë se kura me gjilpëra nuk po e jep efektin e duhur dhe tashmë duhet provuar një tjetër rrugë. Mediat në vend, raportojnë se Lila ka marrë edhe një premtim nga mjeku i tij.

Lilës i është thënë se riaftësimi i tij nuk do të zgjasë shumë dhe se me operacionin e radhës duhet të qëndrojë edhe pak javë më shumë jashtë. Lila pritej të rikthehej në fushën e blertë gjatë muajit nëntor, teksa tashmë i duhet të presë janarin dhe me shumë mundësi, do të jetë në fushë vetëm për gjysmën e dytë të kampionatit dhe t’i vijë në ndihmë Tiranës në pjesën më të vështirë të sezonit.