Trump kërcënon Turqinë, mediat: 50 bomba bërthamore të SHBA janë peng

Presidenti amerikan, Donald Trump telefonoi homologun turk, Recep Tayyip Erdogan duke i kërkuar që të ndalojë menjëherë pushtimin në veri të Sirisë.

Lajmin e bëri të ditur zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence. Ai tha se do të shkojë në rajon sa më shpejt për të negociuar një armëpushim.

Ky zhvillim vjen pas akuzave të shumta që po i bëhen administratës së Donald Trump se ka tradhtuar kurdët, ish-aleatët e SHBA në luftën kundër Shtetit Islamik. Të gjendur nën sulmin turk, kurdët janë detyruar që të hyjnë në marrëveshje me qeverinë siriane.

Presidenti Trump tha se ka në plan të vendosë sanksione ndaj Turqisë nëse nuk e ndal sulmin. Sipas tij, SHBA mund të anulojë një marrëveshje tregtie prej 100 miliardë dollarësh, do të rrisë tarifat mbi importin e çelikut turk dhe do të ndëshkojë çdo anëtar të qeverisë turke që kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kjo situatë e komplikuar ka nxjerrë në pah një problem tjetër. Sipas gazetës NY Times, qeveria turke po i ndërmerr sulmet nga baza ajrore Incirlik, aty ky Amerika ka të depozituara 50 bomba bërthamore.

Një zyrtar i lartë i tha gazetës së këto armë janë nën kontrollin amerikan, por efektivisht janë ‘peng’ te Erdogan.

SHBA ka 180 bomba të tilla të precizionit të lartë B61-12, të shpërndara nëpër baza aleatësh në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi.

Mbajtja e bombave në këtë bazë do të ishte e rrezikshme, por edhe heqja prej aty do të sinjalizonte fundin e një aleance ushtarake të rëndësishme për SHBA-në dhe Turqinë.

Erdogan tha në shtator se ai nuk mund të pranojë rregullat ndërkombëtare që nuk i lejojnë Turqisë që të ketë armë bërthamore. Trump e ka ftuar atë në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.