Cakaj i Ramës kërcënon hapur ministrat e Jashtëm të BE: Nëse nuk na hapni negociatat ...

Vetëm pak orë përpara takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në të cilën do të diskutohet për fatin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ministri i Jashtëm i vendit tonë, Gent Cakaj, ka kërcënuar hapur homologët e tij. Nëpërmjet dy postimeve rresht në Twitter mëngjesin e sotëm, Cakaj i Ramës u kërkon ministrave të BE-së që të mbajnë premtimet, por nuk shkruan asnjë fjalë për premtimet dhe detyrat e parealizuara nga qeveria Rama.

Në një linjën e shefit të tij, Cakaj, kërcënon vendet anëtare të Bashkimit Europian, se nëse nuk i hapin sërish negociatat me Shqipërinë atëherë ata do të përballen në rajonin tonë me rivalë të rrezikshëm strategjikë, që nënkupton Rusinë apo Turqinë e Erdogan.

“Sot Europa përballet me një zgjedhje historike. Vendimi i sotëm do të jetë një provë e aftësisë për të realizuar premtimet dhe për të parë të ardhmen. Shqipëria ka ndërmarrë reforma gjyqësore ambicioze dhe të guximshme duke u shndërruar në shteg në rajon. Tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit.

Një vonesë tjetër mund të ngadalësojë/ prishë përparimin dhe reformat, nënvlerësimin e besueshmërisë dhe rritjen e rrezikut të rivalëve strategjikë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është ora e Evropës. Ne nuk kemi nevojë për një Evropë të ngushtë, të izoluar, dhe të shkëputur, por një që është e hapur, e drejtë dhe një fener shprese në periudha të trazuara”, cicëroi sot në mëngjes ministri i Jashtëm.