Si i demaskoi Borchardt, mediat e Ramës

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt në mënyrë të pavetëdijshme e ka futur veten e tij në një situatë aspak të këndshme për një të dërguar ndërkombëtar në Tiranë.

Mbrëmjen e të dielës Borchardt i njohur për afërsinë me qeverinë e Edi Ramës dhe vetë këtë të fundit, ra pre e një thirrje të disa qytetarëve që ishin duke protestuar kundër arrestimeve të të afërmve të tyre tek Policia e Tiranës.

Edhe pse Ambasadori e dinte shumë mirë që në atë vend ishte duke u protestuar, së bashku me bashkëshorten e tij, vendosë që të kalonin në atë trotuar, e jo në trotuarin tjetër ku kishte dhjetëra e qindra policë dhe askush nuk do ti drejtohej atij.

U fut mes tyre dhe në kohën kur po kalonte dikush thirri ‘Rama Ik’ dhe më pas edhe ‘Shame on you’. Këtu ambasadori nuk mbajti më, ngriti gishtin e mesit përpjetë dhe ua drejtoi protestuesve. Më pas reagoi edhe bashkëshortja e tij.

Pasi bëri disa hapa ambasadori Bernd Borchardt vendosi ta ngrejë sërish gishtin duke e drejtuar nga protestuesit. Nëse hera e parë mund të merrej si një përgjigje instiktive ndaj thirrjeve të qytetarëve, hera e dytë e bën totalisht me faj ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, njeriun që duhet të bëjë reformën zgjedhore në vend.

Çuditërisht gjesti i Borchard u tentua që të kalohej në heshtje. Mediat e kapura nga Rama e kyçën gojën, sepse nuk mund të përgojonin mikun e kryeministrit. Pamjet e filmuara nga operatori i SYRI TV, bënë menjëherë xhiron e rrjetit. Të gjithë i panë, veç pronarëve/oligarkëve të medieve të cilët urdhëruan heshtjen.

Reagimet politike nga opozita ishin të shumta, duke kërkuar largimin e ambasadorit nga OSBE-ja dhe deri shpalljen e tij non grata për fyerjen e popullit shqiptar.

E pas një heshtje 12 orëshe, vendosi që dhe vetë Bern Borchard të reagojë, duke kërkuar ndjesë për ata që ishin fyer e duke tentuar për të lënë ‘kopilin në derë’ në fund të Twitterit të tij, ku shkruante se ‘mbështeste protestat paqësore’, gjoja se protesta e djeshme ishte e dhunshme.

Sapo doli ky mesazh mediat e Ramës vrapuan ta publikonin, kush e kush i pari, edhe pse nuk kishin publikuar në fakt ngjarjen që solli këtë ndjesë, fyerjen që Borchardt bëri ndaj shqiptarëve me atë gisht të mesit.

Por a mjafton kjo ndjesë e Ambasadorit për të shlyer skandalin që vetë krijoi?

A mjafton që disa fjalë në Twitter të shlyejnë fyerjen që u bëri njerëzve që ishin aty duke protestuar dhe mijëra të tjerëve që reaguan ndaj tij.

Reagimi në Twitter nuk mund të shlyeje një veprim të tillë, që nëse do të kishte ndodhur në vendin e tij, Gjermani, do të kishte shkaktuar një furtunë të vërtetë mediatike dhe popullore.

Prandaj ndjesa e ambasadorit nuk mund të pranohet as nga ata që ishin aty në protestë, por as nga populli.

E mënyra më e mirë që Bernd Borchardt të kërkojë ndjesë është të largohet nga Shqipëria dhe të ja lejë vendin e tij, dikujt që ka më shumë dinjitet se ai.