Të gjitha alibitë dhe ‘spërdredhjet’ e Edi Ramës për negociatat, faji i mbetet opozitës dhe vendeve anëtare

Çështja e negociatave duket se ka çoroditur tërësisht kryeministrin Rama. Sa më shumë afrohet dita kur Shqipëria do të njihet me vendimin e Këshillit Europian, aq më shumë ndryshojnë, spërdridhen dhe shtohen alibitë e Ramës për t’i paraprirë një dështimi të mundshëm.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama iu rikthye argumentit se fajtore për qëndimin e disa vendeve anëtare, të cilat nuk e konsiderojnë Shqipërinë gati për hapjen e negociatave dhe e veçojnë nga Maqedonia e Veriut, është edhe opozita shqiptare dhe veprimet që ajo ka ndërmarrë.

“Ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime ky është qasja e opiozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, flas për opozitën që s’është në Parlament e që e braktisi e dogji mandatet e bojkotoi zgjedhjet me një qëllim, për të minuar celjen e negociatave. Opozita në Maqedoni as dje, as sot, nuk merr rrugët e Evropës për të bërë të pabërën për vendin e vet, nuk furnizon kanalet e komunikimit me partitë simotra apo individë të caktuar për të ushqyer cdo ditë ata të cilët e kam thënë disa herë, nuk janë kundër Shqipërisë, skanë ndonjë gjë specifike me Shqipërinë, por ka një qasje tjetër për arsye legjitime në vendet e tyre“, u shpreh Rama.

Por javën e kaluar, argumenti që përdori kryeministri, për veçimin e mundshëm të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, ishte i ndryshëm. Ai nuk ia hodhi fajin opozitës së Bashës dhe Kryemadhit, por tha se Maqedonia e Veriut ka bërë një marrëveshje historike dhe për këtë trajtohet në mënyrë preferenciale.

“Maqedonia e Veriut që shikohet me sy më pak kritik, e dini sa kohë pret t’i hapen negociatat? Shikohet sot me këtë sy, për shkak të një marrëveshje të madh dhe zgjidhjes së një konflikti, që ka çliruar një ngërç të madh”, u shpreh Rama në Kuvend javën e shkuar.

Tashmë duket se Rama i ka ndërthurur dhe pasuruar  të dyja këto argumenta.

Ditën e sotme kryeministri vijojë me alibinë e tij kryesore, se vendet anëtare të BE-së, po e penalizojnë Shqipërinë për shkak të politikave të tyre të brendshme. Ai sulmoi parlamentin hollandez, duke u shprehur se vendimi i tyre lidhet me politkën e brendshme të vendit dhe se Shqipëria është përdorur për propagandë.

“E keni ndjekur debatin e djeshëm në parlamentin e Hollandës e ma ha mendja, se ai debat ishte një mundësi për të kuptuar të gjithë ata që duan të kuptojnë ,se sa e pavërtetë dhe sa e padrejtë është e tërë propaganda që synon të lidhë luftën e brendshme politike në Shqipëri me qëndrimet e disa vendeve mes te cilave është edhe Hollanda.
Në debatin e djeshëm, gjithkush ishte i vëmendshëm, e ka parë se si e gjithë cështja e ecurisë së mtejshem të Shqipërisë ne procesin e integrimit është trajtuar si një cështje e politikës së brendshme të atij vendi“, u shpreh Rama.

Pra, pas fjalimeve dhe qëndrimeve të shumta të kryeministrit për këtë çështje , mund të thuhet sot me siguri, se Rama identifikon tre fajtorë në gjithë këtë proces, ku Shqipëria rrezikon sërish të mos i hapen negociatat.

1 – Politikat e brendshme të disa vendeve anëtare, të cilat e penalizojnë vendin tonë dhe e përdorin Shqipërinë për propagandë.

2- Opozita shqiptare që ka braktisur parlamentin dhe që njollos Shqipërinë tek të huajt.

3- Mund të veçohemi nga Maqedonia sepse ata kanë opozitë më të mirë dhe se kanë bërë një marrëveshje historike, por jo sepse qeveria e Maqedonisë së Veriut ka punuar më shumë se qeveria e Ramës.

Është e qartë se në të gjithë këto alibi që Rama prodhon, ka një përpjekje për të larguar me çdo kusht përgjegjësinë nga vetja.  Edhe pse ka gjashtë vite në krye të qeverisë, Edi Rama nuk e ka aspak problem të dalë foltore më foltore dhe të fajësojë gjithkënd, përveç vetes.
Ai po lufton çdo ditë për t’ju mbushur mendjen shqiptarëve, se qeveria ka bërë maksimumin, por sërish ne do të penalizohemi padrejtësisht nga “lojrat” e më të mëdhenjve. Kryeministri ka nisur të ndihet i frikësuar, nga reagimi popullor që mund të vijë nga një dështim i mundshëm i negociatave, duke i paraprirë atij dhe duke fajësuar sërish opozitën, se po komploton dhe po bëhet gati të përdorë negociatat për të krijuar destabilitet në vend./TPZ.al/