Kosova nuk është Shqipëri…

Shqipëria mori dje një shpullë të rëndë politike, jo nga 9 kushtet e Bundestagut, as nga refuzimi i Holandës e aq më pak nga skepticimzi i Francës ndaj nesh. Flakërima që dhemb fort pa ngushëllim na erdhi nga Kosova. Mbrëmë kuptuam që vendi i fundit në rajon nuk janë ata, jemi ne.

Është budallalliku i ripërsëritur pambarim “oo sa mire me qenë shqiptar o hej”, është nënshtrimi ynë ndaj fatit se nuk bëhet Shqipëria me shqiptarët. Është budallalliku i rendjes qorrshëm mas flamujsh partie që na trajtojnë si zhelanë afrikanë përpara pasqyrash.

Mbrëmë për herë të parë pamë dicka tek vllezërit tanë të Kosovës që nuk na pëlqeu tek vetja. Mbrëmë pamë se de-fakto ne nuk jemi ata. Kosova nuk është Shqipëri, mendova me vete! Vujtja me mujt me gjet ndonjë debat të flaktë politik në Kosovë për reformë zgjedhore, apo vendosje si kusht i saj për Kosovën për tu sëndërtuar si shtet. Imagjinoni pak, Kosovës i kërkohet çdo gjë në këtë tokë përveçse garanci për votën. I kërkohet ndryshim kufijsh, të drejta pakicash që i kanë të sanksionuar me paketë të veçantë, por aksush nuk mendon që shteti 12 vjeçar mund të cënojë votën.

Vetëm 4 orë pas mbylljes së kutive, Albin Kurti e kishte praktikisht mandatin e kryeministrit me 6 mijë vota diferencë ndaj Vjosa Osmanit në mbarë Kosovën. Në Shqipëri, një diferencë të tillë ta siguron Damian Gjiknuri bashkë çunat problematikë vetëm Dibër. Amatorë elektoralë për besë këta vllaznit e Kosovës.

Që dje Shqipëria na duket me e shëmtuar, më e pisët, më e pabesë, jemi njerëz që vjedhim ditën për diell edhe veten tonë. Ne që shesim votën, jemi po ne që e blejmë votën tonë, jemi po ne që nuk numërojmë dot votën tonë edhe kur votojmë për veten tonë me veten tonë pa të tjerët përballë.

Sikur 30 Qershori të kishte ndodhur një vit më parë edhe mund të ishte harruar, por sot 4 muaj pas asaj ditë a e di njeri sesa njerëz votuan, se për çfarë votuam e kemi një ide. Si ka mundësi që PDK-ja e AAK-ja nuk luajtën e as gishtin e vogël për të përdorur policinë, administratën e nënshtruar me copën e bukës së gojës, për të mos lejuar Albin të marrë frerët e vendit. Fundja dikur e kanë arrestuar, dhunuar, burgosur, telendisur pa ndalim. Se ia vjedhnin votat, nuk do të bëhej hataja.

Ndërkombëtarë që justifikojnë zullumet politike si në Shqipëria, ka edhe në Kosovë. Por qartazi sot Kosova nuk është Shqipëri. Sot kur duhet të gëzonim edhe për ta, nuk po e bëjmë dot se po vajtojmë veten tonë.

“Pabesia” e të dielës e qytetarëve të Kosovës na e përdhunoi keqazi “besën” që ne shqiptarët e Shqipërisë i kemi dhënë politikejve tanë sidomos ne 28 vitet e fundit. Të njëjtët që në vend se të heshtnin sot e të gëlltisnin baltën e turpit që na ka mbuluar prej mbrëmë, dolën e bënë urime brukseliane për Kosovën a thua se këta e kanë ndritur me modelin e vet.

Imagjino foli edhe Edi Rama, ndërsa Damian Gjiknuri, Vangjush Dako dhe Ulsi Manja shyqyr heshtën!