Daja: Duhet të minimizojmë gabimet në mbrojtje, më shqetëson ...

Skënderbeu do të kërkojë fitoren e katërt në kampionat, para se skuadra të shkojë në pushimin dy javor, për shkak të ndeshjeve eliminatore të Euro 2020-ës.

Klubi korçar do të presë Luftëtarin pasditen e së shtunës, ndërsa Ilir Daja ka këshilluar lojtarët e tij që të minimizojmë gabimet në mbrojtje.

Trajneri i Skënderbeut, sot në konferencën për shtyp, foli për situatën te skuadra e tij, ecurinë në këto 6 javë të para dhe pritshmëritë për të ardhmen.

E keni analizuar paraqitjen e skuadrës në këto javë të para?
Në këto 6 javë ne kemi shfaqur shumë oshilacione, pasi kemi bërë mjaft mirë ndaj kundërshtarëve të fortë edhe kur kemi humbur, si ndaj Tiranës, por na ka munguar motivimi në ndeshjet jo të forta. Këtë detaj e kemi analizuar mjaft mirë dhe duke filluar nga unë i pari, gjithsecili ka marrë përgjegjësitë e tij. Tani shpresoj të luajmë si ekip dhe të zbatojmë detyrat që marrim në stërvitje.

E keni vendosur formacionin me të cilin do përballoni Luftëtarin?
Për ndeshjen e radhës nuk kemi në dispozicion dy qendërmbrojtësit, si Pollozhani i pezulluar ashtu edhe Turtulli i dëmtuar. Do të shohim se cili do të luajë, por do të kemi edhe lëvizje në pozicione. Nuk mund të them kush do luajë, por pas seancës së fundit do të vendosim. Kuptohet kryesisht do të jenë lojtarët që bënë pushim gjatë ndeshjes së Kupës në mesjavë.

Mendoni se skuadra mund të bënte më shumë gjatë këtyre 6 javëve?
Skënderbeu ka 9 pikë, pra dy pikë më pak sesa ekipi që kryeson. Kjo do të thotë që vërtetë nuk kemi bërë shumë mirë, por edhe keq jo. Kemi pasur momente ku kemi gabuar vetë, si ndaj Vllaznisë, por edhe Bylisit. Me këtë sistemin 3-pikësh unë mendoj se është më mirë të rrezikosh dhe të tentosh fitoren, sesa të luash për barazim. Unë drejtoj një ekip me emër shumë të madh në vitet e fundit dhe për këtë arsye, nuk mund të luajmë mbrapa, pasi këtë nuk e pranojnë as tifozët, por as unë si trajner. Megjithatë duke parë se po pësojmë shpesh, do të na duhet të zbresim pak më shumë poshtë, që të mbyllim hapësirat, derisa të përmirësojmë manovrat në mbrojtje.

Sa ndikon fakti që keni shumë të rinj në përbërje, në ecurinë e skuadrës?
Kemi shumë lojtarë të rinj, që veshin një fanellë të rëndë dhe duhet t’i suportojmë që të përshtaten sa më shpejt, e t’i inkurajojmë pas gabimeve. Ajo që më shqetëson, është se futbollistët që duhet të mbajnë barrën, nuk janë akoma aty ku unë kam pritshmëritë për ta. Mungesat e shumta dhe sidomos ajo e kapitenit Muzaka, po peshojnë shumë gjatë këtyre javëve.