Për bisedat në WhatsApp, Rama-Macron

Edi Rama mbrëmë foli për liderë botërorë, bisedat me ta, çështjet e brendshme të vendeve të BE...etj. Madje shkoi deri atje sa si pa mendje, la të kuptohet që ky me Manuel Macron flasin si dy filozofë!

Pra flasin për filozofinë e Kontinentit të Vjetër, ndajnë pikëpamjet e tyre, si mendjet e mëdha pra, Sartre dhe Beauvoir, për luftërat botërore.

Veçse biseda e Ramës dhe Macronit nuk bëhet në kafenenë ‘Café de Flore’ në Saint-Germain-des-Près, kafenenë mitike të filozofëve, por është diçka edhe më e afërt, flasin në WhatsApp!

Thënë më thjesht, ky e kupton Macronin, sepse Macron nuk e ka se nuk do Shqipërinë në EU prej drogës, korrupsionit, mungesën e shtetit të së drejtës etj. Por nuk ia hap negociatat se filozofia e tij për zgjerimin është ajo që e pengon. Se gjoja Macroni është duke menduar një rikonceptim tjetër për EU, tani jemi në momentin që ‘ideja e tij filozofike’ nuk kuptohet dot nga masat e gjera në EU, në Shqipëri jo e jo, këtu vetëm Rama, si njeri i sërës së lartë mund të arrijë ta kuptojë diçka të tillë. Dhe Rama këtë koncept filozofik po mundohet ta shpjegojë për masat e gjera popullore në Shqipëri. Një herë duke përqeshur Dash Shehin, një herë tjetër duke thënë se Ilir Meta ka lujt mendsh, pastaj se Luli është njeriu i rusëve, pastaj se fajin për të gjitha këto e ka Berisha...etj etj.

Sigurisht masat e gjera në Shqipëri ashtu janë, të trasha deri në kufijtë e të pabesueshmes, sa kohë besojnë Ramën që ka hapur 4 herë negociatat me BE deri tani.

Por zoti Edi nuk thotë një gjë, ai nuk e thotë dhe askush nuk e pyet:

-Ore dakort, Macron ka filozofinë e tij, Holanda po ashtu dhe ndaj nuk na i hapin negociatat.

Po Maqedonisë së Veriut pse thonë do ia hapim ata?

A nuk bie kjo gjë në kundërshtim me filozofinë e tyre të zgjerimit?

Shpjegoja pak popullit zoti Edi, shpjegoja pak më qartë këtë koncept filozofik, se helbete të ra ty tani kjo barrë të jesh drejtuesi i një makine të mbushur me të trashë, me rob që s'marrin vesh nga filozofia.