Futbolli në zi/ Shuhet legjenda e bilbilit elbasanas, gjykoi për herë të parë një ndeshje me drita
Është ndarë nga jeta në moshën 61-vjeçare ish-arbitri i famshëm i Koelgjiumit të Elbasanit, Myrteza Allkja.
Me një kontribut të madh në arbitrimin shqiptar, karriera e Allkjes do të niste në vitet 80’ përkrah emrave të shquar të arbitrimit kombëtar, si një vazhdim i traditës së arbitrave të njohur të Elbasanit.
Shumë shpejt ai do të shquhej si një arbitër i ri me perspektivë dhe shumë i aftë. Ai ishte një përfaqësues i një brezi të ri dhe FSHF do t’i besonte drejtimin e ndeshjeve shumë të rëndësishme.
Deri ditën që u nda me arbitrimin, Myrteza Allkja do të mbetej një “bilbil” mjaft autoritar, i admiruar nga skuadrat dhe sportdashësit në çdo stadium që arbitroi. Njeri korrekt në fushë dhe jashtë saj edhe me detyrën e vëzhguesit të FSHF-së.
Ai do të mbahet mend edhe për faktin që ka arbitruar i pari një ndeshje me drita në Shqipëri. Bëhet fjalë për derbin Tirana-Partizani 1-0, të luajtur më 5 gusht të vitit 1997 në orën 21:00.
FSHF ka dhënë urdhër që në nder të tij, të mbahet një minutë heshtje para se të fillojnë ndeshjet e Kupës së Shqipërisë që do të luhen të nesër.
Varrimi bëhet nesër në orën 15:00 në Elbasan.
Syri.net dhe Syri Sport u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
Myrteza Allkja, në derbin Tirana-Partizani 1-0, më 5 gusht 1997