Zbulohet çfarë shkruante Ismail Kadare në vitin 1974 për At Gjergj Fishtën

Çfarë ka shkruar më 1974 shkrimtari, Ismail Kadare për poetin tonë kombëtar, At Gjergj Fishta?!

Së fundmi janë zbuluar edhe fjalët e Kadaresë për klerikun dhe poetin Fishta.

‘Cili ka qenë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta’, thoshte Kadare.

Në shkrimin e titulluar ‘Realizmi socilist, arti i madh i revolucionit’ me autor shkrimtarin Ismail Kadare, i botuar në vitin 1974 ndër të tjera shkruhet:

Në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shoku Enver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheu esencën e vërtetë konservatore të borgjezisë dhe të revizionistit të sotëm. ‘Karakter konservator – thotë shoku Enver, – kanë jo vetëm ideologjitë e vjetra që vinë nga thellësitë e shekujve, por edhe ideologjia e kultura e sotme e degjeneruar borgjeze e revizioniste, i gjithë liberalizmi e modernizmi i tyre’.

Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë.

Cili ka qenë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift.

Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë.

Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar.

Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh.

/Zanimalsise.com