'Çakejtë' e padënuar, që na turpërojnë të gjithëve

Lexoja letrat, që Mark Shllaku i dërgonte bashkëshortes në çastet e fundit të jetës, para ekzekutimit nga togat komuniste të vdekjes. Përpos dhimbjes, ndjeva neveri. Jo vetëm për çakejtë dhe hienat që kanë kryer ato krime barbare, por edhe për të gjithë ata që kanë pasur pushtet në këto 30 vite.

Si nuk kanë turp, që nuk kanë bërë asgjë për të dënuar qoftë edhe një kriminel të vetëm?! Janë me mijëra bij nënash të vrarë dhe të pushkatuar pa gjyq. Por nuk ka asnjë ekzekutor të vetëm pas hekurave.

Shqipëria ka rënë në batakun e harresës kolektive. Harresa pjell indiferencë. Indiferenca normalizon të ligën.

Për 30 vite me radhë, mburoja publike e krimeve komuniste në Shqipëri ka qënë vetë regjimi. Xhelatët dhe vrasësit e pashpirt janë justifikuar, amnistuar, rehabilituar e madje edhe dekoruar si shtetarë, që vetëm kanë zbatuar ligjin. Por ky është një prostitucion dhe manipulim i qëllimshëm intelektual. Shumë nga kriminelët e asaj kohe kanë qënë të etur për gjak saqe kanë tejkaluar edhe ligjet kriminale të regjimit komunist.

Në gusht të vitit 1989, kur regjimi ishte në grahmat e tij të fundit, dy të rinj nga Barbullushi i Shkodrës, tentuan të arratisen përmes pikës së Dajçit, por u diktuan. Patrulla i ekzekutoi në kufi dhe pas ekzekutimit, trupat e tyre u shëtitën të lidhur me tela me gjemba për një ditë të tërë në qytetin e Shkodrës dhe fshatrat përreth.

Në cilin ligj, në cilin nen parashikohej që viktimat mund të përdhoseshin në atë farë mënyre?! Nuk ka pasur një ligj të tillë as regjimi kriminal i Enver Hoxhës dhe as regjimet me barbare që janë instaluar ndonjëherë mbi tokë. Ata që e kanë bërë, kanë qënë monstra të etura për gjak dhe kriminelë të zellshëm të një pushteti kriminal.

Por si ka mundësi, që askush nuk tentoi të hapë letrat?! Kush ishin ushtarët në shërbim atë ditë? Kush ishte pjesë e patrullës? Kush e dha urdhrin për t’i tërhequr zvarrë, kufomat e dy djemve të rinj, nëpër qytetin e Shkodrës?

Askush nuk e ka marrë mundimin të pyesë e jo më të hetojë. Kjo është mënyra se si harresa e qëllimshme pjell indiferencën. Dhe kjo e fundit amniston të ligën.

Ky është vetëm një rast. Por ka me dhjetëra dhe qindra krime të tjera barbare të kryera në tejkalim edhe të ligjeve më kriminale të regjimit nga xhelatët gjakatarë dhe hienat e zellshme të partisë. Asnjëri prej tyre nuk është hetuar e jo më të jetë dënuar.

Ky perversitet nuk është i rastësishëm. Përgjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri është ngritur një mekanizëm i sofistikuar për të lënë në harresë krimet e komunizmit dhe për të rehabilituar autorët e tyre. Pjesë e këtij mekanizmi janë politika, media e madje segmente të tëra të shoqërisë.

Nuk është rastësi që nuk u hap asnjë hetim i mirëfilltë për krimet e komunizmit. Nuk është rastësi që në mediat shqiptare ka pasur më shumë hapësirë xhelati se sa viktima. Orë të tëra intervistash me drejtuesit e regjimit, por harresë dhe shpërfillje për të afërmit e viktimave dhe ata që kanë vuajtur. Nuk është rastësi që Shqipëria ka sot me dhjetra OJF të mirëfinancuara për të mbrojtur të drejtat e homoseksualëve, transeksualëve dhe çdo biçimi tjetër hibrid, por nuk ka qoftë edhe një OJF të vetme, që të ekspozojë krimet barbare të xhelatëve. E gjitha është pjesë e mekanizmit.

Të vetmet iniciativa, që përpiqen të kujtojnë dhe zbardhin krimet e komunizmit, janë ato private si Kujto.al, portali i ideuar dhe financuar nga ish-deputeti demokrat Agron Shehaj.

Ndërsa qeveritë shqiptare, ato të cilat kanë dhënë miliona euro për artin, madje dhe për shkolla private, nuk kanë financuar qoftë edhe një lek të vetëm për të ekspozuar barbaritë dhe krimet e komunizmit. Përkundrazi, sot, 30 vjet pas rënies së sistemit, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të shohin filmat ideologjikë të prodhuar nga regjimi, që lartësojnë epokën e ndritur të kriminelëve dhe ideatorët e saj.

Ky është turpi, që ka mbuluar Shqipërinë dhe çdo shqiptar!