'Panikun e hapi vetë Rama duke dashur të sulmojë Syrin'

Drejtori i Syri.net, Çim Peka, në një lidhje direkte me emisionin ‘Opinion’, ka dhënë detaje lidhur mbi shoqërimin e gazetarëve të Syri.net në Polici si edhe kërcënimet që u janë bërë atyre nga drejtuesit më të lartë të Policisë, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj. Peka e ka cilësuar sulmin si të orkestruar nga Rama, i cili në fakt sipas tij me publikimin e printscreanit të lajmit të Syrit krijoi edhe më shumë panik te qytetarët se sa vetë lajmi që u fshi në pak minuta nga faqja.

‘Në fakt ka ndodhur ajo që s’duhet të ndodhte.  E vërteta është që ky lajm është publikuar fillimisht në orën 15.00 edicionin kryesor të Top Channel ku sizmiologu grek ka dhënë intervistën. Me pas në darkë nga gazeta ‘Shekulli’ ka dalë lajmi që do të ketë një tërmet në orën 23.30.  Sigurisht që e hoqëm urgjent si lajm dhe kemi bërë përgënjeshtrimin duke kërkuar edhe ndjesën përkatëse. Lajmi ka qëndruar në faqe jo më shumë 3-5 minuta. Dhe çfarë ka ndodhur. Këtij lajmi i bëhet foto nga kryeministri dhe ky e shpërndan e shpërndan në faqen e tij në facebook. Pra panikun e ka shpërndarë Rama. Duke dashur të sulmojë Syrin, Rama  ka hapur me vetëdije panik. Unë lajmin e orës së tërmetit e kam parë edhe në portale të tjerë. Dalin tani edhe këto ministret dhe japin pretencën. Gazetari i Syri,net është mbajtur deri në orën 5.00 të mëngjesit në polici nga Ardi Veliu dhe Tonin Vocja dhe i janë sekuestruar të gjitha telefonat. Po kështu kanë kërcënuar edhe kryeredaktorin e Syri.net. Thuaj që lajmin jua ka dhënë Çim Peka dhe ik në shtëpi’-tha gazetari Peka në Opinion.