Mos kryqëzoni gazetarët, logjikoni njëherë me mendjen tuaj njerëz!

A është gabim publikimi i lajmit për lëkundje të mundshme tërmeti, referuar një medie tjetër? Sigurisht që PO.

A është gabim njerëzor, gabim i shkaktuar nga nxitimi? Sigurisht që PO. Kush ka punuar në media e kupton trysninë në raste të ngjashme me fluks të jashtëzakonshëm lajmesh, lajme me shumë ndjeshmëri publike.

A kanë ndodhur gabime të ngjashme? Sigurisht që PO. Do të ndodhin edhe në të ardhmen, sepse gazetarët nuk janë robotë të programuar, por qenie njerëzore që gabojnë, si gjithë të tjerët.

A ishte lajm i publikuar me qëllim? Sigurisht që JO. Syri, nuk ka nevojë për klikime shtesë. Po ashtu të thuash se Syri nxori njerëzit në rrugë me qëllim që populli të fajësojë qeverinë, nuk besoj se ka logjikë. Secili e kupton se as qeveria, as presidenca dhe as opozita nuk ka lidhje me tërmetet; parashikimin apo parandalimin e tyre.

A ka lajme të pa sakta të përhapura me qëllim nga gazetaret? Sigurisht ka plot, përditë.

Njëri prej tyre ishte edhe ai për "vjedhjen " e orës së dorës së Presidentit Bush, gjatë vizitës së tij në Fushë Krujë, qershor 2007.

Më shume se të kryqëzojmë mediat e gazetarët në këtë rast, është koha t'i vëmë gishtin kokës vetë e të mendojmë me mendjen tonë; a parashikohen tërmetet vërtetë?

Sigurisht që JO.

Ndaj fajësoni veten dhe jo gazetarët. Jo gjithçka që thuhet e shkruhet, duhet përtypur e ngrënë ashtu siç na jepet.