Shqipëri 2019!

Të thuash sot në Shqipëri se tërmeti është dukuri që edhe mund të parashikohet me përafërsi, jo ekzakt, e theksoj, përfundon i djegur përsëgjalli si Xhordano Bruno në vitin 1600, por jo i djegur në turrën e druve, po linçimin publik të lloj-lloj gojëpalari me pushtet. Që tërmetet nuk parashikohen me ekzaktësi nuk është kërkim shkencor i qeverisë Rama.

E vërteta nuk ndryshon, prej faktit se besohet ose nuk besohet nga shumica e njerëzve, thoshte Bruno. Dhe fakti që shumica sot mendon si qeveria nuk e zhbën faktin se në Shqipëri 48 orë më parë ra një tërmet i tmerrshëm, dhe gjeti totalisht të papregatitur qeverinë Rama. Më e fundit i gjeti arkën bosh!

Por qeveria duket se është më shumë e frikësuar se qytetarët.

Jo nga tërmeti. Nga sondazhet. E vetmja gjë që besojnë këta, dhe siç duket pas tërmetit kuotat e Ilir Metës janë rritur dhe të tyret kanë rënë kilometra shkallë rihter poshtë, në terr. E duam apo nuk e duam Ilir Metën, në këtë rast është treguar shtetar i përgjegjshëm, ka pas informacion nga një ‘x’ shkencëtar dhe e ka përcjellë në rrugë sekrete, siç ia do detyra, në instancat përkatëse.

Gojëtavat e nxorën në publik informacionin dhe u tallën!

Mirëpo fati këtë herë qe në kahun e Metës, tërmeti ra, tallja nuk qe harruar akoma, dhe makina e propagandës u tërbua.

Rilindja e di që mendja e ultë dëshiron të mendojë me masat ose shumicën, thjesht dhe vetëm sepse shumica është shumica, dhe iu rezultoi se shumica iku në kahun e kundërt pas tërmetit. Në panik e sipër, me kamera, fotografë, çdo gjë që përmban një makinë propagande u vunë në lëvizje.

Fati lëviz, dhe thonë shkon edhe te ai që punon në kë drejtim, qoftë qëllim mirë apo qëllim keq. Intensiteti i propagandës u rrit aq shumë nga qeveria sa ‘x’ gazetar plasi një lajm të paverifikuar dhe paniku merret me mend në situata të tilla. Një media tërësisht dizinformuese dhe ‘fake’ ka 6 vite që mashtron nën thundrën shtypëse të qeverisë, nuk i hyri gjemb në këmbë. Por duke qënë se këta kanë edhe guri edhe arrën treguan mbrëmë në orët e vona heroizmin e tyre, ndaj gazetarëve naivë, ndoshta edhe nga një ndjenjë euforie e përzier me pak sharlatantizëm, dhe arrestuan gazetarë.

Ku shkuan?

Te i vetmi zë kritik i mbetur akoma!

Po kujt ia tregojnë këta këto palaçollëqe.

Po si mendojnë këta se mund ta mbulojnë paaftësinë e tyre për të menaxhuar situata emergjente duke arrestuar dy ose katër gazetarë!

Po mund ta mbulojnë këta babëzinë e korrupsionit dhe mediokritetin e tyre me një gabim kaq ‘infantil’ në një vend ku janë bërë kaq shumë zullume nga vetë këta.

Jo, jo, një njeri që ka 2 pare mend në kokë nuk e ha këtë palaçollëk.