Shkelja e rradhës/ Pse Saimir Tahiri duhej ta niste që sot Shërbimin e Provës. Ja ç’thotë Kodi Penal

Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë vendimin për Saimir Tahirin. Ish-ministri nuk shkon në burg, por do të jetë për 3 vite në shërbim prove.

Gjykata ka rikualifikuar akuzën në “shpërdorim të detyrës”, duke e dënuar Saimir Tahirin me 5 vite heqje lirie, por ky vendim është konvertuar në shërbim prove për 3 vite.

Por shërbimi i provës për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri duhej të niste që sot.

Kështu thotë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Në ndryshimet e majit të vitit 2017, afati i provës nis menjëherë të nesërmen e shpalljes së vendimit nga gjykata.  

Sipas juristëve, të kontaktuar nga Syri.net, nxirret menjëherë shkurtim vendimi dhe i përcillet prokurorisë. Sektori i ekzekutimeve nxjerr menjëherë urdhërin dhe ia çon Shërbimit të Provës. Një fakt juridik i shkelur nga Tahiri.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, afati i provës është 18 muaj deri në 5 vjet. Nëse i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60, siç është urdhëruar nga gjykata, gjykata vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes, brenda periudhës së provës, ose revokimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vite burg për Tahirin, por me gjykim të shkurtuar kërkesa përfundimtare shkoi në 8 vite. Prokuroria e akuzoi ish-ministrin për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Gjithsesi, këto tre akuza nuk u pranuan nga tre gjykatësit, të cilët e dënuan Tahirin për “shpërdorim prove”, akuzë që nuk ishte bërë nga Prokuroria.

Me pak fjalë, ish ministri socialist duhej të niste që sot shërbimin e tij të provës, duke u vendosur menjëherë në shërbim të komunitetit, pa pritur vendimin që do të marrë Gjykata e Apelit.... /Syri.net