Vjen momenti i Paolo Dybala te Juventusi

Maurizio Sarri kurrë nuk ka dashur të bëjë eksperimente. As në lojërat që, teorikisht, mund t’ia kishin lejuar këtë gjë. Por grupi i lojtarëve të Juventusit është i zgjeruar, ndaj rotacioni është domosdoshmëri.

Në ndeshjen e radhës së Serisë A, kundër Veronës, do të jetë kështu.

Nga Buffon te Rabiot, shumë po shpresojnë te shansi për t’i zëvendësuar ata që në katër sfidat e para sezonale kanë pasur më shumë hapësira aktivizimi si titullarë.

Në listën e atyre që shpresojnë për një mundësi të tillë është edhe një emër më ilustrues se të tjerët: ai i Paulo Dybala.

Ky i fundit do të ketë nesër, më në fund, mundësinë e startimit si titullar për herë të parë në këtë sezon.

Një moment i shënuar për të, duke pasur parasysh minutazhin e paktë që Sarri i ka dhënë deri më tani.

Ai erdhi nga stoli në duelin e furishëm kundër Napolit, plus që luajti dhjetë minuta të tjera kundër Atletico Madridit. Një mbrëmje e hidhur për të dhe për Juven në “Wanda Metropolitano”.

Ndaj Veronës, e cila deri më tani ka fituar, ka barazuar dhe ka humbur nga një ndeshje, pritet të pushojë Gonzalo Higuain.

Dybala është gati ta zëvendësojë bashkatdhetarin, me Cristiano Ronaldon dhe Bernardeschin në anët e sulmit bardhezi.