Çudi! Një panterë e zezë kapet duke bredhur nëpër çati në Francë

Punonjësit e emergjencave në veri të Francës kapën një kafshë të pazakontë, që vraponte nëpër çatitë e shtëpive: një panterë të zezë.

Zjarrfikësit dhe një veteriner erdhën bashkarisht pasi banorët e një lagjeje afër Lille raportuan se një mace shumë  madhe ishte parë teksa "shëtiste në parvaze" të mërkurën në mbrëmje, shkruan Dailymail. 

Fotografitë e bëra pas mbërritjes së zjarrfikësve tregonin panterën duke kapërcyer nga ndërtesa në ndërtesë dhe duke iu larguar një dritareje që fatmirësisht ishte e mbyllur.

Vetëm kur pantera rrëshqiti brenda një shtëpie, punonjësit e emergjencave e rrethuan atë.

Kafsha u vu në gjumë dhe u fut në kafaz. Nuk ishte e qartë se nga vinte pantera ose nëse kishte ikur nga një kopsht zoologjik. F.H/SYRI.NET