Braçkullat ‘patriotike’ të Edi Ramës

Edi Rama i di të gjitha. Di të pikturojë dhe të hap ekspozita anekënd botës (falë pozitës së kryeministrit të Shqipërisë), di të dizajnojë (ka thënë se është autor i fanellës së Kombëtares së futbollit), ai është i aftë të sjellë nga Vjena në Tiranë Filharmoninë e Vjenës – dhe krahas të gjitha këtyre punëve Rama di edhe të qeverisë dhe efektet e qeverisjes së tij u panë sidomos në vitin 2015, kur vetëm gjatë një muaji rreth shtatë mijë shqiptarë kërkuan azil në Gjermani. Po shihen rezultatet edhe në rendimentet e arave me kanabis.

Kur politikani i di të gjitha këto, pra të administrojë edhe vizatojë, atëherë përse të mos thotë mendimin e tij edhe për lëngatat e Kosovës. Dhe a ka rast më të përshtatshëm për të bërë këtë se në çastin e tanishëm, kur policia franceze ka arrestuar Ramush Haradinajn? Meqë kryeministrit të Tiranës më shumë i pëlqen të jetë publicist dhe argëtues i opinionit me performansa gjysmëartistike, ishte e pritshme që në vend të një komunikate prej burrështetasi Rama t’i drejtohet kombit – nga Shën Facebooku.

«Për kë bie kambana», quhet një roman i Ernest Hemingëayt. «Për kë bien kambanat», pyet Edi Rama. Dhe fillon me batare kundër Europës bushtër e bishttundur, kundër një politikani zviceran («i famshëm ose famëkeq»), «zbulues» i njëfarë «Shtëpie të Verdhë», kundër «qarqeve ndërkombëtare» që patën idenë për Gjykatë Speciale. Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhtuar prej tyre!»

Kjo është porosia që vjen nga kryeministri i Shqipërisë. Një status në Facebook. A është kjo qasja e duhur ndaj një vështirësie serioze me të cilën po ballafaqohet së pari Haradinaj, pastaj edhe Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi? Jo, kjo nuk është përgjigjja e duhur. Sado skandaloz dhe i padrejtë të konsiderohet arrestimi i Haradinajt në Francë me urdhër të Serbisë, askush nuk duhet të befasohet. Serbia ka një politikë shtetërore. Ajo politikë synon shkatërrimin e shtetit të Kosovës, ndarjen e Kosovës.

Për këtë qëllim Edi Rama është përkëdhelur mjaft nga politikanët serbë. Vizita e tij e fundit në Beograd ngjalli reagime të ashpra në Kosovë. Jo pse Kosova është kundër marrëdhënieve të mira mes Tiranës dhe Beogradit, por përvoja historike ka treguar se Serbia marrëdhëniet e mira me Tiranën mund t’i marrë me mend vetëm nëse paraprakisht arrin t’ua bëjë jetën ferr dy milionë shqiptarëve të Kosovës. Edi Rama nuk e ka kuptuar këtë kurrë. Nuk ka dashur ta kuptojë. I kanë pëlqyer sfilatat diplomatike.

Duke e ditur se Serbia ka për qëllim sabotimin e shtetësisë së Kosovës dhe po qe e mundshme madje edhe arrestimin e çdo shqiptari (ose së paku plaçkitjen e tij, qoftë kjo edhe në pika kufitare), Ramush Haradinaj me aterrimin e tij në Francë ka treguar edhe njëherë një naivitet të paparëjo vetëm politik. Pse? Sepse e ka kaluar përvojën e Sllovenisë, ku u mbajt në burg. Sepse e ka ditur se qeveria e Kosovës në bisedimet me Serbinë, të cilat gjatë, tepër gjatë i ka përkrahur edhe partia e Haradinajt, nuk i ka bërë presion Beogradit që të heq dorë nga urdhërarrestet arbitrare.

Sepse është dashur ta ketë të qartë se nga Gjykata e Hagës është liruar në mungesë të dëshmive, por Serbia s’ka hequr kurrë dorë nga ndjekja e tij dhe nga kërkimi i dëshmive, qofshin këto edhe të fabrikuara. Sepse, këtë duhet thënë më shumë se kurrë, për dallim nga disa mashtrues ordinerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që kohën e luftës e kanë kaluar në hotelet e Tiranës, Ramush Haradinaj ka luftuar i paepur për lirinë e këtij vendi. Kjo vepër nuk e shfajëson atë për të gjitha të zezat që mund t’i ketë bërë pas luftës.

Roli i Haradinajt në luftë i çmend edhe sot çetnikët e Beogradit, zëdhënësit e Slobodan Millosheviqit, mohuesit e gjenocidit në Srebrenicë dhe të masakrave në Kosovë. Njëra prej ideve të Partisë Radikale (partisë ku u rrit e kalit Aleksandër Vuçiqi) ka qenë infektimi i shqiptarëve me AIDS. Edi Rama ose nuk i di të gjitha këto, ose nuk ka këshilltarë të mirëfilltë që t’i tregojnë, ose paraqitjen e tij publike e virtuale në Facebook përpiqet ta shfrytëzojë për poenë politikë. Kujdes, tash po flet babai i kombit, Edi Rama.

Po flet babai i kombit siç fliste Sali Berisha pas publikimit të raportit të raportuesit të Këshillit të Europës, Dick Martytit. Berisha atëbotë tha se kur ne shqiptarët, ne ilirët aristokratë kemi pasur kulturë, paraardhësit e këtij njeriu tinëzar nga Zvicra kërcenin nga dega në degë. Me një fjalë – majmunë helvetikë. Hashim Thaçi ishte po ashtu i qartë. Tha se do ta padiste Dick Martyin për shpifje. Tha se ai ishte një lloj Joseph Goebbelsi. Çka nuk tha… Dhe sot, kur i është ngushtuar rrethi, thotë: Gjykata Speciale u themelua për shkak të kërcënimit të dëshmitarëve. E kush i kërcënoi këta dëshmitarë, kur dihet se që nga 12 qershori 1999 Hashim Thaçi ka pushtet efektiv dhe herë ilegal, herë legal në Kosovë?

Sa herë që ndodhin këso ngatërresash me bashkësinë ndërkombëtare (arrestimi i Haradinajt, raporti i Dick Marty etj), shqiptarët humbin çdo racionalizëm, janë në gjendje ta mallkojnë qumështin e importuar slloven dhe të përkujtojnë edhe njëherë se Franca, ah, Franca e mallkuar përherë paskësh qenë me Serbinë. Në paraqitjen e tij sonte në Facebook

Edi Rama i bashkohet korit të politikanëve batakçinj shqiptarë.  Ne nuk e dimë a ekziston, a ka ekzistuar «Shtëpia e Verdhë», ku mund të jenë kryer vepra monstruoze, për të cilat shkruan Dick Marty në raportin e tij. Por evidente është se pas luftës janë zhdukur apo vrarë së paku 500 serbë, romë, «kolaboracionistë shqiptarë» dhe kritikë apo rivalë të

UÇK-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke folur për vrasjen e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë Ibrahim Rugova në fund të vitit 2000 i tha revistës gjermane «Der Spiegel»: «Qytetarët tanë janë të tronditur pas këtyre vrasjeve. Dikur e kemi pasur Beogradin kundërshtar dhe ne shqiptarët kemi qenë të mirët. Tash kur rreziku nga

Beogradi është flakur, po shfaqen sërish edhe dreqërit nga radhët tona». Edi Rama nuk e njeh, as që do të di gjë për këtë kapitull të errët të Kosovës. I pëlqen të bëjë parada patriotike, të tallet me analistë dhe «analistë», të hiqet si i gjithëdijshëm dhe magjistar fjalësh. Andaj vjen në Kosovë, mban fjalim në parlament, por nuk e përmend fare Ibrahim

Rugovën dhe e tregon historinë e Kosovës të gjymtuar, duke injoruar një anë të errët të disa krerëve të UÇK-së.

Ne nuk e dimë a ekziston, a ka ekzistuar «Shtëpia e Verdhë», por çfarë dihet është kjo: se në Shqipërinë e veriut UÇK – e toleruar nga shteti shqiptar – ka mbajtur burgje ilegale. Edi Rama do të bënte mirë ta pranonte në një takim Imer Imerin. Ai do t’i tregonte për vuajtjet e tij. Janë vuajtje të një njeriu, paraardhësit e të cilit luftuan me Azem Bejtën e Shote Galicën për të çliruar Kosovën. Rama do të mund t’i shprehte ngushëllime Imer Imerit për tragjedinë familjare: vrasjen e vëllait të tij Haki Imeri nga një dorë kriminale pas luftës. Kjo është një ndër arsyet përse po themelohet Gjykata Speciale.

Edi Rama po deshi mund të gjejë në internet një kronikë të BBC mbi «Hotel Drenicën» në Durrës, aty ku «çlirimtarët» e Kosovës i «selektonin» luftëtarët që vinin përmes Portit të Durrësit për t’iu bashkuar luftës çlirimtare. Shumë prej tyre nuk arritën në front, por përfunduan në kampet e torturës të UÇK-së, sepse «dikush» i kishte shënjuar ata si rugovistë.

Nuk ka kurrfarë konspiracioni sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale. Ekzistojnë plot e përplot raporte ndërkombëtare që tregojnë se në Kosovë dëshmitarët stigmatizohen, kërcënohen, vriten. Pas raportit të

Dick Marytit një raport tjetër i Këshillit të Europës ka nënvizuar qartë se në Kosovë dëshmitarët janë të rrezikuar. Kanë shkuar njerëzit deri në Norvegji për të kërcënuar dëshmitarë. Dhe janë arrestuar nga Tribunali i Hagës. Disa prej tyre Edi Rama i njeh mirë. Atëherë, përse flet broçkulla «patriotike»? Sepse kështu e ha pazari? Ndoshta.

Por kjo dalldi kundër Europës bushtër e bishttundur mund të na kthehet si bumerang. Sepse qeveritë tona nuk i kanë kryer punët që është dashur të kryhen. Sepse shtetet tona vazhdojnë të jenë të kapura nga grupe mafioze, që patriotizmin e përdorin si rakinë e Skraparit – për dehje kolektive! Zgjimi nga kjo kllapi kolektive mund të jetë i dhimbshëm. Viti sapo ka filluar dhe Kosovën e presin sfida të tjera të mëdha. Nëse drejtësia franceze merr shembull praktikën pozitive të shteteve si Gjermania, Austria apo Zvicra, atëherë Haradinaj duhet të lirohet. Por gjasat që politikanët tanë dhe turmat e zhurmshme të botës virtuale do të sillen me përgjegjësi dhe rezon shtetëror – këto gjasa janë të vogla. Për fatin tonë të keq.