Kështu bëhet në Euronews

Mos u çudisni nëse do të ndesheni nëpër rrugët e Tiranës me grupe të rinjsh, që ju xhirojnë apo edhe ju intervistojnë, pa ju drejtuar ato kamerat gjigande, të cilat jemi mësuar t’ua u shohim operatorëve, duke i zvarritur në krah.

Filloni mësohuni me idenë se gazetaria e re në Shqipëri tashmë ka mbërritur: është MOJO (Mobile Journalism).

Një frymë e metodë krejt e re po vjen prej Euronews Albania, franchise i Euronews Group, po vjen prej ekspertëve të gjigandit mediatik, që kanë zbritur në terrenin shqiptar për të trajnuar gazetarët e rinj dhe gjithë ekipin e televizionit.

Vetëm pak ditë më parë, në studiot e Euronews Albania, ishin Sarah Taylor, producente e lartë në Euronews dhe Jack Parrock, korrespondent i Euronews në Bruksel. 

Ndërsa Sara ishte e angazhuar me trajnimin e stafit, për përgatitjen e lajmeve dhe për emisionet, Jack doli në terren, në Tiranë e jashtë saj, me gazetarët për t'i mësuar atyre më shumë rreth MOJO.

Duket që po punohet seriozisht, se gjithçka po ndërtohet mbi baza të forta, mbi standartet e larta të brandit Euronews, që e ka lëshuar sinjalin e vet në 166 vende të botës, e që flet në shumë gjuhë të saj, anglisht, frengjisht, gjermanisht, greqisht, hungarisht, italisht, portugalisht, rusisht, spanjisht, turqisht.... e tashmë do të flasë edhe në shqip, për të gjitha pikëpamjet e sigurisht, për të gjitha audiencat.