Pas erës së keqe bëhet zbulimi makabër/ Të ndarë në 119 çanta gjenden 44 trupa në një pus

Pas ankesave të banorëve të zonës për erën e keqe, ekspertët mjekoligjorë në Meksikë kanë arritur të identifikojnë 44 trupa të varrosur në një pus në shtetin, Jalisco.

Sipas BBC, mbetjet njerëzore janë gjetur shumë pranë qytetit Guadalajara, ndërsa ishin fshehur në 119 çanta të zeza.

Jalisco është zemra e një prej bandave më të dhunshme të drogës në Meksikë dhe kjo është gjetja e dytë më e madhe e trupave të dekompozuar këtë vit.

Pjesa më e madhe e trupave ishin prerë, kështu që autoritetet duhej të bashkonin pjesë të ndryshme për t’i identifikuar. Për pasojë shumë trupa ende mbeten të paidentifikuar.

Një organizatë lokale që kërkon njerëz të zhdukur ka bërë thirrje qeverisë të dërgojë më shumë specialistë për të ndihmuar në identifikimin.

Ata thonë se departamenti i mjekësisë ligjore është mbingarkuar dhe nuk ka aftësitë e nevojshme për të përfunduar operacionin.