Në Luz, aty ku 2 fëmijë janë flakur nga prindërit dhe shteti: Kemi frikë natën...

Në Luz të Rrogozhinës jetojnë dy minorenë të cilët kanë një fat tragjik. Nëna e tyre i braktisi që kur ishin foshnje kurse babai i tyre i dhunonte dhe aktualisht ndodhet në burg.

Frika i mbërthen sapo bie nata. Kasollja e tyre është e rrënuar dhe herë pas here flenë në tarracë. Janë vetëm këtu në Luz të Rrogozhinës.

“Kemi fjet lart në soletë sepse nuk u rrinte brenda. Ishte shumë shumë vapë. Herë ky i vogli, vëllai u rrëzua prej soletës, u vra dhe ishim shumë frikë”.

Lorenci 16 vjeç dhe Frederiku 13 vjeç të hënën nuk do të shkojnë në shkollë, por në sallën e gjyqit. Do të dëshmojnë kundër babait të tyre, i cili i dhunonte. Xhevdet Lecini është në pranga pas denoncimit të bërë nga djemtë e tij. Kurse nëna i ka braktisur kur ishin foshnje.

“Mamanë nuk e njoh sepse ka ikur, ndërsa babai është në burg se na rreh”.

“Babi është në shoqërim në Kavajë. Babi na ka pas dhunuar, shumë këtë të voglin dhe unë e denoncova”.

Vëllai më i madh mundohet të kujdeset për të voglin. E dinë se skanë më askënd pranë vetes. U kujtohet se pasi u stërmunduan nëpër dyert e policisë së tre bashkive, policët i zbriten nga makina. Tani shkoni vetëm në shtëpi, jeni të rritur u thanë.

“Na çuan në Durrës, Kavajë, na çuan në Rrogozhinë dhe na lanë tek rruga kryesore dhe na thanë shkoni në shtëpi tani. U thashë na çoni deri në shtëpi se është larg. Ecni se jeni çuna të rinj thanë”.

Banoret e lagjes po tentojnë të sensibilizojnë opinionin. Fëmijët nuk kanë para për të blerë librat e shkollës, as për ushqime apo veshmbathje.

“Këta janë në mëshirë të fatit. Është arrestuar i ati dhe nuk kanë as psikolog, as mbështetjen nga askush”.

Me të vegjlit nuk dihen çfarë do të bëjnë. E sigurtë është që pranë tyre pas kësaj dite, vështirë të gjendet ndonjë humanist që do t’i shpëtojë nga vetmia dhe varfëria.